Nga Flutura GJANA
Industria Minerare në shkatërrim të mjedisit
Sot janë 696 leje minerare aktive. Subjektet që kanë këto leje minerare kanë shfrytëzuar pa kriter burimet dhe nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore, detyrime që lidhen me pagesat e garancive financiare të mjedisit. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ka deklaruar se mbi 50% e këtyre kompanive veprojnë në mënyrë të paligjshme.
Këto subjekte nuk kanë përmbushur as detyrimin e heqjes së fondit pyjor. Edhe pse në tetor të vitit 2014, Kuvendi miratoi disa ndryshime në ligjin minerar, për të përmirësuar procedurat ligjore dhe cilësinë e menaxhimit në këtë sektor, situata akoma nuk ka asnjë përmirësim. Rehabilitimi progresiv është një element i rëndësishëm, që shprehet qartë në ligj. Ai duhet të realizohet në këto zona ku shfrytëzohen minerare. Nga subjektet minerare rehabilitimi i mjedisit duhet të kryhet sipas një projekti të detajuar dhe duhet të vlerësohet nga strukturat përgjegjëse të ministrisë. Realisht kjo nuk ka ndodhur.
Në 23 shtator, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP) dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që kishte për qëlllim bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke ndërmjet strukturave të ISHMP dhe AKBN-së, për zbatimin me korrektësi të legjislacionit rregullator, normave teknike e standardeve në fuqi, që veprojnë në fushën e mjedisit dhe në shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Marrëveshja detyronte subjektet të paguanin një taksë prej 500 mijë lekësh në vit, dhe të mbillnin tre fidanë të rinj për çdo pemë të prerë. Por, asnjë nga këto detyrime nuk është përmbushur. Inspektorati Shtetëror i Mjedisit nuk ka realizuar në mënyrë periodike kontrollet që të verifikojë zbatimin e ligjit dhe kushtet e lejeve mjedisore që kanë këto subjekte për të kryer aktivitetin e tyre.
Zonat e mbrojtura
Në Shqipëri kemi një institucion, i cili u krijua[1] me Vendim të Këshillit të Ministrave në shkurt të vitit 2015. Në faqen zyrtare shkruhet:
“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave Vendimi. Nr. 102, datë 4.2.2015, ka për qëllim menaxhimin, mbrojtjen, zhvillimin, zgjerimin dhe funksionimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në vendin tonë, që përbëjnë sot rreth 16% të territorit të Shqipërisë.”
Por mesa duket nga zhvillimet e fundit kjo agjenci e ka harruar misionin e saj.
Kontrolli i Lartë i Shteti ka evidentuar një serë shkeljesh[2] ligjore që ka kryer Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përgjatë gjithë periudhës së saj të punës. Nga auditimi i kontratave të lidhura për dhënien e fondit pyjor janë evidentuar raste që prekin edhe zonat e mbrojtura. Kontratat janë lidhur me subjekte private që kryejnë aktivitetet të tipit: Gurore për prodhim materialesh inerte në karrierë, impiante uji të pijshëm, për ndërtime HEC-esh, për nxjerrje mineralesh, vendosje antenash, të cilat janë në kundërshtim me Ligjit nr. 8906, datë 06.06.2002 “Për zonat e mbrojtura”[3] i ndryshuar.
Është gjetur se brenda rrjetit të Zonave të Mbrojtura janë gjithsej 71 HEC-e. Aktualisht 44 prej tyre janë në proces ndërtimi. Vepra ndërtimin i të cilave është në kundërshtim të hapur me ligjin.
Gjashtë kontrata me subjektet janë lidhur në Qarkun e Gjirokastrës, ndër të cilat 5 janë 10 vjeçare dhe 1 është 1 vjeçare. Këto kontrata legjitimojnë ndërtimin e HEC-eve “Gostivisht”, “Langarica 3”, “Ura e Dashit” dhe ndërtimin e linjës elektrike që lidh këtp HEC-e me rrjetin kryesor të Përmetit. Zona e mbrojtur që preket është “Zonë e përdorimit të qëndrueshëm”, të “Parkut kombëtar” të ekosistemit natyror bredhi i ’’ Hotovës-Dangëlli me sipërfaqe të zgjeruar”. Në këtë zonë përfshihen habitate, pyjore e kullosore, pothuajse përreth zonës qendrore, për të cilën ajo shërben si zonë buferike. Edhe në Rrethin e Librazhdit janë gjithsej 40 HEC-e brenda zonave të mbrojtura, një pjesë të ndërtuar dhe një pjesë tjetë në proces ndërtimi.
Pritej që Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tashmë të kishte nxjerrë të gjitha lejet e dhëna për HEC-et në Zonat e Mbrojtura, e më pas të mund të analizonte të gjithë dokumentacionin e dhënë për të marrë leje mjedisore. Në mënyrë që të mund të identifikoheshin të gjitha shkeljet ligjore. Për të gjitha shkeljet ligjore të rezultuara në zonat e mbrojtura (duke përfshirë edhe shkelje të tjera si: ndërtimet pa leje, aktivitete pa leje, etj) të hartohej një raport analizues i cili duhet të ksihte edhe masat përkatëse që janë të nevojshme për riparimin dhe mundësitë e eliminimit të ndërhyrjeve apo shkeljeve ligjore.
Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Nuk e dimë akoma se pse e shikon të rëndësishmë qeveria dhe Ministria e Mjedisit këtë institucion, i cili më shumë nuk funksionon, se funksionon. Duke pasur parasysh situatën që ndodhemi të paktën duhet të qartësohen detyrimet që kanë subjektet karshi mjedisit. Të inventarzohet çdo bimë që është prerë për të liruar sipërfaqen ku po ndërtohen këto vepra në mënyrë që përgjegjësit të përmbushin detyrimin me zëvendesimin e tyre. AKZM duhet të veprojë me moton të ndalojë ndërtime në zona të mbrojtura ashtu siç vetë ligji e parashikon. Në rastet kur është e pamundur të prishet ligjërisht kontrata me këto subjekte, ajo të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme monitorimin e aktiviteteve të tyre sidomos kur bëhet fjalë për vepra si si HEC-e, miniera apo gurore. Duke u referuar nga eksperienca e deritanishme ato sjellin dëme të mëdha në sistemin shëndetësor, natyror dhe human të zonës përkatëse.
[1]AZKM
(http://akzm.gov.al/index.php?lang=en)
[2] RAPORTI VJETOR I PERFORMANCËS
(https://www.parlament.al/wp-content/uploads/sites/4/2016/04/Raporti-i-performances-se-KLSH-2015.pdf)
[3] LIGJ Nr. 8906, datë 6.6.2002 “PËR ZONAT E MBROJTURA” ndryshuar
(http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Biodiversiteti/2002_Ligj-Zonat_e_Mbrojtura_Konsoliduar.pdf)