Flutura GJANA, MSc.
Masakra e liqenit të Fierzës
Nuk e dimë nëse mund ta quajmë më një liqen, apo thjesht një vendgrumbullim mbeturinash e kimikatesh. Liqeni i Fierzës deri më sot nuk ka pasur kurrë vëmendjen e asnjë institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e burimeve natyrore.
Me VKM Nr. 88, datë 01.03.1993, bregu i Liqenit të Fierzës është shpallur zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit. Liqeni i Fierzës karakterizohet nga fauna e pasur,është i pasur me habitate dhe 13 lloje peshqish, është i përshtatshëm për udhëtime turistike, peshkim, etj..
Problematikat mjedisore të liqenit të Fierzës i kanë rrënjët që në të shkuarën. Shkaqe për këto problematike janë:
- Mbeturinat e shumta industriale që vijnë nga Kosova dhe Maqedonia, përmes ujërave të luginës së Drinit të zi e Drinit të Bardhë që grumbullohen në këtë liqen.
- Mbeturinat e vetë banorëve të qytetit të Kukësit me mbetje të ndryshme urbane e inerte.
- Ndotja nga kimikate të ndryshme.
Sipas ekspertëve ndotja është në nivele shumë të larta dhe ka shkatuar probleme me diversitetin duke shkatërruar edhe biodiversitetin. Ndotja e lartë e mjedisit duket se po venit këtë vlerë mjedisore që ka Shqipëria, e cila prej kohësh nuk ka njohur qoftë edhe një ndërhyrje të vetme nga instancat përkatëse.
Në prill[1] të vitit 2016, u shpall situatë emergjente për shkak të ndotjes në liqenin e Fierzës. Mbeturinat ishin plastike, mbetje ilaçesh, lëndë inerte etj. Përveçse mbetjet u bënë shkak për shkatërrimin e faunës dhe florës duke rrezikuar rreth 15 specie peshqish që jetojnë në ato ujra, mbartin një rrezik potencial edhe për banorët e zonës dhe mirëqenien e tyre.
Pas situatës emergjente që u shfaq në vitin 2016 pritej që ky liqen të monitorohej dhe të ishte në vëmendje të institucioneve dhe agjencive të mjedisit që duhet të kujdeseshin për rehabilitimin e liqenit. Por në vend që të përmirësohej gjendja, një tjetër masakër ju bë këtij liqeni.
Më 23 mars[2], u gjendën 20 ton peshq të ngordhur në ujrat e liqenit të Fierzës. Kjo katastrofë mjedisore mendohet të ketë ardhur për shkak të gjuetisë së paligjshme me dinamit që aplikohet nga peshkatarët e zonës. Ka kaluar një muaj pas kësaj ngjarjeje dhe nuk kemi asnjë analizë nga institucionet përgjegjëse për të investiguar këtë krim që ju bë natyrës. Cilat ishin shkaqet që ndodhi? Kush janë përgjegjësit? Cili është plani i rehabilitimit që ka menduar Ministria e Mjedisit, apo Agjencia Kombëtare e Mjedisit? Vërtet dëmi u bë dhe institucionet përgjegjëse nuk ishin të aftë ta paraprinin, por të paktën të bëjnë diçka për të minimizuar sadopak këtë masakër që i’u bë liqenit të Fierzës. Në programin[3] e qeverisë për vitet 2013-2017 shkruhet:
’’Ne do të realizojmë reforma dhe do forcojmë kapacitetet për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve ndaj publikut. Do të përgatitim plane për manaxhimin efektiv të baseneve kryesore ujore, në mënyrë të veçantë për Drinin, e Bunën dhe Semanin do të perfundojmë Kadastren e Ujit. Një përkujdesje e veçantë do t’i kushtohet lumenjve, liqeneve dhe burimeve të tjera ujore, veçanërisht atyre qe janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor ose ndotja mikrobiologjike dhe kimike.’’
Mandati i qeverisë po mbaron dhe akoma nuk ka asnjë reformë që ka për qëllim përkujdesjen për liqene të cilat janë tepër të dëmtuar nga aktiviteti jashtëligjor apo ndotja mikrobiologjike dhe kimike. Rruga e Shqipërisë për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian kalon edhe përmes strategjive për çështjet mjedisore dhe masave në kuadër të ruajtjes së biodiversitetit, menaxhimin e ujërave dhe burimeve natyrore, siç është dhe fauna e liqeneve tanë.
Liqeni i Fierzës ka një shumllojshmëri të madhe të faunës. Për sa kohë burimet për mbrojtjen e faunës janë të limituara, ndoshta duhet të merret vendim se si të përdoren këto burime. Të përcaktohet se çfarë përbën emergjencë? Legjislacioni për mbrojtjen e natyrës ekziston, por për ironi zhdukja e specieve të rralla vazhdon. Cilësia e ujrave është përkeqësuar për shkak të ndotjes nga mbetjet apo peshkimit tej normave të lejuara. Mos ndoshta vendosja e moratoriumit për të kufizuar aktivitetet që lejohen në sipërfaqet ujore do të ishte një zgjidhje efikase për faunën e Shqipërisë? Shfaqjet e zakonshme ku bërtitet me të madhe se fauna po rilind vazhdojnë. Ulja e numrit të habitateve të ujërave tonë vazhdon. Mos funksionimi i institucioneve vazhdon. Paaftësia e shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit vazhdon. Edhe për sa kohë?
[1] Video: Mbeturinat që fundosin Fierzën
(www.youtube.com/watch?v=JxwbF9T9ExU)
[2] Artikull: Masakra në Fierzë
(www.balkanweb.com/site/masakra-ne-fierze-me-peshqit-e-ngordhur-ministria-e-bujqesise-nuk-ka-qene-eksploziv-po-hetojme/ )
[3]Programi i Qeverisë, 2013-2017
(http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Programe/Programi-i-Qeverise.pdf )