Nga Henri HAXHIRAJ
Në dy dekadat e fundit Shqipëria, po ashtu si pjesa më e madhe e vendeve Europiane, ka pasur një rënie të konsiderueshme të lindjeve dhe njëkohësisht një rritje të jetëgjatësisë. Për të studiuar këtë fenomen shërben shkenca e demografisë. Demografia lindi si nevojë e shtetit për të njohur numrin e popullsisë, për arsyen e vetme, se kishin nevojë për informacion mbi numrin e personave që kishin nevojë të ushqeheshin. Ne shkencën e demografisë është shumë i përhapur termi „Tranzicioni Demografik“. Ky model përshkruan zhvillimin demografik të afërsisht dy shekujve (1790-1970). Si bazë për ndërtimin e këtij grafiku merren norma e lindjes dhe norma e vdekjes. Në grafikun e paraqitur më poshtë është gjithashtu e pasqyruar dhe rritja e popullsisë .
Burimi: www.OurWorldInData.org
Ky tranzicion ka katër faza, ku çdo fazë karakterizohet nga ndryshime në kurbën e normës së lindjes dhe atë të vdekjes. Me modernizimin e teknologjisë dhe ndryshimin e faktorëve të tjerë relevantë, kalon një shtet nga faza e parë në fazën e pestë. Pra në fazën e parë të tranzicionit janë si norma e lindjes, po ashtu dhe norma e vdekjes në një nivel shumë të lartë. Me kalimim e fazave, ulen të dyja normat. Në shekullin e 17. kishim një normë të lartë të lindjeve, që ishte mesatarisht rreth 6 femijë për cdo femër në moshë fertiliteti. Një femër harxhonte në këtë periudhë dy të tretat e jetës së saj duke lindur dhe rritur fëmijët. Në ditët e sotme është afërsisht një të shtatat. Me ndihmën e revolucionit industrial u bë i mundur ndërtimi i hekurudhave dhe zhvillimi i transportit, gjë qe uli në mënyrë drastike vdekjen nga uria. Revolucioni mjekësor solli shpikjen e penicilinës, rrezeve X, medikamenteve për luftimin e tuberkulozit dhe kolerës etj., të cilat patën një ndikim jashtëzakonisht të madh në rritjen e jetëgjatësisë. Në këtë mënyrë nuk lindeshin më 6 fëmijë, që të mbijetonin 3, por lindeshin 3 ose më pak. Me kalimin e kohës filloi të ndryshonte edhe botëkuptimi pët pjesën më të madhe të popullsisë. Fëmijët filluan të perceptoheshin si një gjë shumë me vlerë dhe prindërit investonin më shumë kohë në një rritje cilësore të tyre.
Sot pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara ndodhen në fazën e katërt të këtij tranzicioni, që do të thotë, nivel të ulët të lindjeve dhe jetëgjatesia mesatare rritet vazhdimisht. Por ka edhe vende si Gjermania apo Japonia, të cilat janë shtetet me popullsinë më të plakur në botë, që ndodhen në fazen e pestë, çka do të thotë, norma e lindjes është më e ulët se norma e vdekjes dhe kjo sjell një tkurrje të numrit të popullsisë. Ky fenomen është i prekshëm në Japoni, kurse në Gjermani ka një rritje të popullsisë vetëm për shkak të emigrantëve nga vendet e tjera. Gjithë vendet e botës e kanë kaluar fazën e parë të tranzicionit demografik, por nga akoma vende, sidomos në kontinetin afrikan, të cilat ndodhen në fazën e dytë apo të tretë të tranzicionit. Shkak për këtë është norma e lartë e vdekjes dhe kjo vjen kryesisht nga numri i lartë i personave të prekur nga HIV-i, mungesa e ujit dhe kushtet e papërshtatshme higjenike. Por le të fokusohemi më shumë te Shqipëria. Bazuar në të dhënat e INSTAT mbi lindjen, vdekjen dhe shtesat natyrore midis 1990-2016 është ndertuar grafiku i mëposhtem mbi zhvillimin e këtyre indikatorëve në 26 vitet e fundit.
Siç duket qartë edhe Shqipëria ndodhet diku në fazën e tretë apo të katërt të tranzicionit demografik, ku numri i lindjeve është ulur me afërsisht 61% nga 1990 në 2016. Dy janë shkaqet kryesore që çojnë në plakjen e popullsisë, ulja e lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë. Sot, jetëgjatësia mesatare rritet me 6 orë në ditë, ku edhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Pra, Shqipëria së shpejti do të përballet me problemin e plakjes së popullsisë dhe masat për t‘u përballur me një problem të tille, duhet të merren që tani.
Emigrimi i moshave të reja luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin demografik, duke ulur kështu numrin e grupit potencial të popullsisë të aftë për t’u riprodhuar. Prej vitit 2001 deri ne 2016 kemi një rënie të popullsisë me 6%. Kjo përqindje nuk është e vogël, kur vetëm shumë pak shtete të botës kanë një tkurrje të popullsisë. Por, ç’do të ndodhte nëse Shqipëria do të behej pjesë e Bashkimit Europian dhe shumë të rinj mund të lëvizin dhe punonin lirisht kudo në Europë?
Shqipëria do të përballet në dekadat e ardhsme kundër problemeve, mbi të cilat aktualisht nuk ka asnjë plan për t’i luftuar. Problemi kryesor do të jetë ulja e numrit të fuqisë punëtore. Me plakjen e popullsisë, derivon edhe numri më i ulët i personave të cilët janë në moshë pune. Stepja e investitorëve të huaj mund të jetë një tjetër pasojë e numrit të ulët së fuqisë punëtore. Shteti duhet të përballet në të ardhmen e afërt me sistemin e pensioneve, ku në nje kohë kur do të ketë më shumë persona në moshë pensioni (prognozë: 30% më shumë deri në 2050) dhe njëkohësisht më pak persona në marrëdhënie pune të cilët paguajnë sigurime, do të jetë pothuajse i pamundur financimi i pensioneve me formulën aktuale.
Përkujdesja për moshën e tretë do të jetë gjithashtu një sfidë jo e lehtë. Nuk bëhet fjalë për më shumë infermiere/ë dhe më shumë mjeke/ë, por gjithashtu do të duhet më shumë fleksibilitet i stafit mjekësor, duke qënë se shumë persona të moshuar nuk do të kenë mundësi të shkojnë vetë në spital. Gjithashtu numri shtesë i shtretërve, numri shtesë i personelit dhe trajnimi i tyre në azile janë problem më vete.
Sistemi i ekonomisë do të duhet po ashtu të rimendohet, në një kohe ku shumë të rinj të kualifikuar emigrojnë në vendet e perëndimit për kushte më të mira pune. Alokimi i të gjitha proçeseve brënda vendit do të vështirësohet dhe veprimtaria prodhuese brenda vendit është shumë e prekur.
Por çfarë masash mund të merren për të shmanguar këtë situatë?
Si fillim është e rëndësishme rritja e normës se lindjes, në mënyrë të tillë që të shmanget tkurrja e popullsisë. Për të arritur këtë qëllim, duhen krijuar kushtet e përshtatshme për të rritur një fëmijë pa i munguar nevojat bazë dhe roli i shtetit në këtë pjesë është tejet i rëndësishëm. Vende si Gjermania, japin „Kindergeld“ ose para për fëmijet, ku shteti jep minimalisht 192 Euro deri në moshën 25 vjeçare. Një tjetër politikë sociale me bazë ndihmën ekonomike është e ndërtuar për kategorine e prindërve, që rrisin një fëmijë të vetëm, pa ndihmën e një partneri/partnereje. Ofrimi i çerdheve apo kopshteve pa pagesë dhe me orar më të zgjatur është një tjetër mekanizëm që mund të çojë në lindjen e më shumë fëmijëve. Rregullimi dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për sa i përket femrave shtatezënë kur janë në marrëdhënie pune është gjithashtu vendimtare. Nje tjeter rrugë, ndonëse më e veshtirë se e lartpërmendura për Shqipërinë, lidhet me ardhjen e emigrantëve në Shqipëri për të punuar dhe jetuar. Për te arritur këtë, duhet që vendi të jetë jo vetëm në një rritje të vazhdueshme dhe të shëndoshë ekonomike, por duhet të jetë gjithashtu tërheqës, për të mundësuar ardhjen e fuqive punëtore të huaja dhe për të konkurruar me shtetet e tjera për këto fuqi punëtore.
Për t’i bërë ballë rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së fuqisë punëtore, Shqipëria, po ashtu si shumë vende të tjera që kanë kohë që e kanë implementuar këtë masë, do t’i duhet një rritje e moshës për hyrjen në pension. Kjo politikë do të sillte më shumë të ardhura nga sigurimet dhe do të mbante përkohësisht të qëndrueshem sistemin e pensioneve në dekadat në vijim. Investimi në azilet në qarqe të ndryshme është padyshim i pashmangshëm. Jo vetëm rritja e kapacitetit të tyre, por edhe ofrimi i kurseve profesionale të trajnimit për personelin është i domosdoshem. Ndonëse ështe profesion jo shumë i dëshiruar, duhet me patjetër të bëhet me atraktiv duke rritur pagen ose duke ofruar stimuj të ndryshme. Nëse në 2050 do të kemi 30% me shumë persona në moshë pensioni në krahasim me sa kemi sot (bazuar në prognozë, por jo shkencërisht), atëherë nuk do të mjaftojë numri i ambulancave qe janë sot në qarkullim për t‘u ardhur në ndihmë të moshuarve, të cilët kanë nevojë për shërbim mjekësor në shtëpi. Investimi në fleksibilitetin e fuqisë punëtore mjekësore është gjithashtu një sfidë e veshtirë, që padyshim kerkon edhe një numër më të madh infermierësh dhe mjekësh në qarkullim.
Sistemi i ekonomise aktual do të ketë nevojë për një rimodelim, pasi me një ulje potenciale së fuqisë punëtore, shumë proçese prodhimi dhe shërbimi do të duhet ose të zhvillohen jashtë vendit, ose do duhet të automatizohen. Kompanitë prodhuese vendase do të përballen me vështirësinë e gjetjes së punonjësve në tregun vendas, gjë që i lë kompanve jo shumë alternativa në lojë. Ato ose duhet të investojnë në aparatura moderne, në mënyre që të kenë më pak nevojë për dorën e njeriut, ose do u duhet të prodhojnë në vende të tjera dhe më pas të importojnë drejt Shqipërisë, gjë që sjell një rritje të kostos dhe rrjedhimisht rritje të çmimit për konsumatorët. Në të dy skenarët, kompanive u duhet të përshtaten me tregun e ri së fuqisë punëtore.
Për shumë kompani do të ndryshojnë edhe target grupet në vitet në vijim, për këtë shkak nëse do të ketë më shumë persona te moshuar, shumë shërbime do të duhet të jenë më fleksibël, që ato të kenë mundësi të arrijnë te konsumatori. Gjithashtu, shteti do të duhet të pasurojë jo vetëm portofolin e shërbimeve online për qytetarët, por edhe të ofrojë gjuhë të thjeshtuar, mundësinë e këshillimit online nga punonjës të institucioneve dhe kur është nevoja trajnime të ndryshme për shërbimet e reja.
Për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian flitet shumë, por për pasojat, qoftë pozitive apo negative, që një antarësim i mundshëm mund të sjellë, flitet, duke mos qënë konservativ në përdorimin e fjalës, shumë pak. Duke qënë se ka një mungesë të madhe studimesh mbi këtë temë është i veshtirë krijimi i prognozave dhe skenarëve, për sa i përket ndryshimit demografik te popullsisë. Por duhet marrë si i mirëqënë fakti, që shumë të rinj do të provojnë të konkurrojnë jashtë kufirit të republikës për një vend pune, sidomos ata që zotërojnë profesione si infermierë apo mjek, që në vende si Gjermania ka mungesë të konsiderueshme. Kjo do te sjellë padyshim pasoja, jo vetëm në tkurrjen e numrit të të rinjve, por edhe në fuqine punëtore të kualifikuar.
Përpos argumentave të sipërpërmendur ka edhe shumë të tjerë, por shumica prej tyre varen edhe prej programit të partive politike. Zakonisht një politikë e majtë ofron kopshte dhe çerdhe pa pagesë, por jo një rritje të moshës së pensionit, kurse një politikë e djathtë ofron te anasjelltën. Ajo që mbetet e rëndësishme është që herët apo vonë, Shqipëria do të përballet me këto tematika dhe për shumë nga problemet është e papërgatitur për të reaguar. Një bashkëpunim i vazhdueshëm i institucioneve shtetërore me universitetet për të investuar në kërkime shkencore mbi këtë çështje është po ashtu më se i rëndësishëm.