Brenton KOTORRI, MSc
Shqipëria është vend tutash e batutash.
Kështu e ka realizuar fushatën Edi Rama. Gjatë gjithë muajit Kryeministri ka udhëtuar nëpër Shqipëri, duke uruar dhe përuruar gjithçka që shihte e gjithkënd që takonte. Por ajo që është më e papranueshme duke bërë fushatë elektorale pa e quajtur fushatë elektorale. Që në fillim të muajit Z. Rama, nisi t’i ngatërronte vizitat në cilësinë e Kryeministrit me udhëtimet elektorale të kryetarit të partisë. E për këtë, dëshmi e qartë është slogani “Në drejtimin e duhur”, që ai nisi ta përdorte fuqishëm dhe kudo që prej fillimit të muajit. Slogan që më pas u pranua edhe zyrtarisht se ishte slogani i fushatës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për Zgjedhjet Lokale të këtij viti.
Kështu, jo vetëm që është shkelur Ligji Nr.10 019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me ligjin nr.74/2012), sidomos në Nenin 3, Pika 7, ku thuhet : Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli. Por gjithashtu është harruar se kryeministri nuk mund të marrë pushime dhe të sillet si kryetar partie për ndonjë muaj. Jo vetëm teorikisht, por sidomos praktikisht, fjala e kryeministrit të vendit është aseti më i madh publik që një kandidat mund të përfitojë gjatë garës elektorale. Për të mos u ndalur te fakti që kjo fushatë nisi shumë ditë më përpara sesa afati zyrtar që është 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.
Po të vërejmë pamjet e kësaj fushate të padeklaruar, por të realizuar para afatit ligjor, do të shohim në fakt një kryeministër të zhveshur. Një kryeministër të zhveshur në kuptimin e parë të fjalës, prej kollares dhe kostumit protokollar. Do të shohim pamjet e një kryeministri me bluza sportive, me figura dhe ngjyra, teksa i rreh shpatullat kandidatëve të vet nëpër Shqipëri. Kjo këshillë e dobët e dhënë prej këshilltarëve të tij, kërkon të mbjellë në të pandërgjegjshmen e popullit idenë se kryeministri, vishet me kollare kur është kryeministër i Shqipërisë, dhe me bluza të ngushta me ngjyra kur është kryetar i partisë. Edhe pse jo ligjërisht, idealisht, kryeministri nuk duhet të mbajë anësi në zgjedhjet lokale, duke qenë se ai përfaqëson të gjithë popullin, dhe postin më të rëndësishëm politiko-juridik të këtij sistemi. Ndoshta dikush mund të thotë se po kërkojmë korrektesë politike prej euronordikësh, mirëpo ndoshta është e vërtetë që të kërkosh ndershmëri dhe fisnikëri politike në kontekstin tonë, është diçka e tepruar.
Sido që zgjedhjet të shkojnë tashmë është jo vetëm e qartë që Edi Rama nuk ka respekt as per shtetin e as per popullin, por dhimbshem, është e qartë që edhe populli nuk ka respekt për veten.