Unë nuk jam njohëse dhe mbrojtëse aktive e të drejtave të fëmijëve. Nga këto të fundit ka plot në Shqipëri që mund të japin opinionin e tyre të mire informuar. Megjithatë, kam mjaftueshëm ‘common sense’ dhe ndërgjegje politike e qytetare për të kuptuar se ajo që ndodhi në Kuvend ku u diskutua ngjarja e rëndë e Shkodrës dhe të tjera të ngjashme ishte në kufijtë e çmendurisë kolektive politike.
Teksa për tre orë parakalonin ministra, politikanë, deputetë, zyrtarë të lartë publik, kryetarë bashkie, shoqëri civile, fillova të mendoja për një ‘’far far away land’’ ku rendi normal i gjërave do të ishte: ministri, drejtuesi i shërbimit social shtetëror, kryetari i bashkisë ftohen të japin llogari përpara parlamentarëve se çfarë nuk ka funksionuar në hallkat e përkujdesjes për fëmijët jetimë, që na u desh të preknim fundin për t’u shkundur nga apatia. Individët dhe institucionet përkatëse marrin përsipër përgjegjësitë respektive për dështimet e sistemit dhe një valë dorëheqjesh pason skandalin e tmerrshëm të dhunimit fizik, psikologjik, emocional, seksual të të miturve që përveç se të braktisur nga jeta, janë edhe të braktisur nga institucionet shtetërore. Institucione shtetërore, që me kontratë sociale kanë marrë prej nesh të drejtën dhe detyrimin për të ofruar shërbime jetike.
Në një vend normal kjo ngjarje nuk do të lëkundte vetëm institucionet përgjegjëse, por të gjithë shtetin. Një vend që i mbron me kushtetutë të drejtat e njeriut, të drejtën e jetës, lirinë nga diskriminimi, të drejtën e fjalës, të drejtën e dinjitetit e të tjera të ngjashme, do të tronditej nga dhuna sistematike, e institucionalizuar, por do të tronditej edhe më tepër nga indiferenca, fshehja e fakteve dhe qëndrimi apatik përballë të vërtetave të hidhura.
Problemi është se nuk jetojmë as në një vend kaq të largët imagjinar, as në një vend normal. Jetojmë në Shqipëri. Dhe në Shqipëri gjërat funksionojnë ndryshe, rregullat vihen kokëposhtë dhe faji si gjithmonë mbetet jetim, dhe jetimi përdhunohet. Në një takim prej tre orësh u bënë dhjetëra pyetje. Sa përgjigje mendoni se u dhanë? Po flas këtu për përgjigje të drejtpërdrejta ndaj pyetjeve? Asnjë, zero, nul. Asnjë funksionar nuk u përgjigj se të kujt janë kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e personelit të qendrave rezidenciale për fëmijët jetim. Asnjë zyrtar nuk ju përgjigj pyetjeve mbi monitorimin e rasteve të ngjashme, të ditura me kohë. Asnjë nuk ju përgjigj pyetjeve se çfarë po ndodh sot e çfarë do të ndodhë nesër dhe në të ardhmen e menjëhershme në Shkodër? A po bashkëjetojnë fëmijët me dhunuesit e tyre të drejtpërdrejtë dhe punonjësit e tjerë që në mos dhunues janë fshehës të dhunës, vepër njësoj e dënueshme? A ka faj kolektiv në këtë ngjarje? Apo ai mbetet tek abuzuesi direkt? Po mirë, po abuzuesin kush e ka emëruar dhe çfarë do të ndodhë me të? Apo do të sistemohet në një vend tjetër? Apo në rastin më të keq do të rikthehet në vendin e mëparshëm për të ushtruar ca më tepër dhunë? Dikush tha se politika nuk ka lidhje me gjykatat dhe vendimet e tyre. Ndërkohë që teknikisht konstatimi është i saktë a nuk të duket edhe ty paradoksal një afirmim I tillë nga një politikan shqiptar dhe në një vend që edhe buka që hamë është e lidhur në një mënyrë ose tjetrën me politikën?
Nuk e dimë, sepse nuk morëm përgjigje, nuk pamë fakte, nuk dëgjuam reagime të drejtpërdrejta. Ama na u përplas në fytyrë një seri gjërash që do të tërbonte çdo njeri. Si fillim na u dha një leksion historik se si shërbimi në qendra rezidenciale në vendet perëndimore pothuajse po zhduket dhe se si Shqipëria duhet të ndjekë vendet e tjera të zhvilluara që këta fëmijë të kalojnë në familje përkujdesëse të përkohshme ose të përhershme. Na u dha një leksion mbi arritjet e mrekullueshme të institucioneve, qendrore e lokale, në legjislacion, strategji, bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe donatorë, me stafin e kështu më radhë. Një pjesë e kohës iku me falenderime për njerëz e institucione të ndryshmë (nuk e kuptova çfarë kishte në këtë mes për të falenderuar). U fol për ligjin e ri të përkujdesjes sociale që do bëjë mrekullira, për ngritjen e një taskforce që do të vlerësonte gjithë qendrat rezidenciale (po pastaj?). Na u ofruan shumë gjëra, por në të njëjtën kohë asgjë. Askush nuk qëllonte në shenjë në tabelën e qitjes, vetëm në kufijtë më të skajshëm.
Sikur të mos mjaftonte që nuk morëm asnjë përgjigje, nuk kuptuam asnjë përgjegjësi, as nuk u belbëzua ndonjë falje, morëm edhe një leksion të keq të mungesës së demokracisë dhe humanitetit. Pse? Fatkeqësisht, për të disamiliontën herë një ngjarje e tillë ose u politizua, ose u përdor për të fituar kapital politik ose për të bërë krahasimin ne dhe ju, çfarë bëtë ju e çfarë bëmë ne. Ne jemi më të mirë se ju, ju jeni më të këqij se ne. Për një moment kisha shpresën se diskutimi do të bëhej për ngjarjen e rëndë në Shkodër. Por në fakt Shkodra pak u përmend. Më tepër dëgjova akuza politike dhe tendencioze se sa krijova ndjesinë që ishim aty për të adresuar problemin.
Kush do të kujdeset që drejtësia të vihet në vend? Gjyqësori i korruptuar deri në palcë? Kush do të kujdeset që këto qendra të kenë staf të specializuar dhe jo miqtë e kushërinjtë e politikanëve? Kryetarët e bashkive që e trajtojnë institucionin si biznes privat për t’u pasuruar? Kush do sigurohet që ligji zbatohet? Institucione qeveritare që janë të mbushur me qokaxhinj e drejtorë që nuk e dinë as fushën e tyre të veprimit? Po parlamenti, a do të merret ndonjëherë me nxjerrjen e legjislacionit që është në të mirën tënde e timen si qytetar i thjeshtë dhe jo të punojë për të gjetur sharje e ofendime të reja për kundërshtarët politikë me të cilët bëjnë pazaret? Cila është pika e vlimit? Apo e kemi tejkaluar ndaj nuk na bën më përshtypje? Unë jam e inatosur, po ti? Cfarë do të bëjmë më inatin tonë? Do ta kanalizojmë në energji pozitive për të mbrojtur të drejtat tona, apo do ta harrojmë inatin deri te inatosja e radhës?
Nuk jam aq naive sa të besoja se palët e ndryshme politike do ta linin mënjanë partitizmin dhe etjen për pushtet në këtë rast, dua të them e ndjek mjaftueshëm politikën në Shqipëri, por me sa duket nuk jam as aq cinike sa të besoj se dhunimi i një të mituri të pafajshëm duhet shfrytëzuar politikisht në mënyrë kaq të shëmtuar.
Megi LLUBANI
Politologe