Ergisa BEJKOLLARI, Msc
Liberalizimi i tregut të energjisë: Çfarë duhet të dini për reformën që ‘tund themelet’ e sektorit?
Samiti i vitit 2015 i Vjenës e vendosi Shqipërinë në një listë me Maqedoninë, Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, si vendet që do ndërmerrnin një sërë masash të buta në sektorin energjitik.[1] Ky ishte hapi i parë i asaj që do të quhej reforma për liberalizimin e tregut të energjisë dhe që u pasua nga miratimi i ligjit në prill të vitit të kaluar. [2]
Disa nga synimet kryesore të reformës janë fillimisht ndarja e funksionit të furnizimit nga funksioni i shpërndarjes së energjisë elektrike. Në praktikë, kjo do të thotë që KESH tashmë “çlirohet” nga funksioni si furnizues i energjisë, për t’ua kaluar këtë përgjegjësi operatorëve privatë që do të licencohen në bazë të disa kritereve. Duke qenë se KESH do të ketë si funksion primar prodhimin e energjisë, kjo sjell një sërë përfitimesh si shtimin e kapaciteteve prodhuese, përmirësimi i shërbimit etj.
Një tjetër synim është dhe mbrojtja e konsumatorëve. Nga një sistem monopolistik ku funksionet i kryente KESH, tashmë drejt konkurrencës thuajse të plotë që shoqërohet me përmirësimin e cilësisë, të kushteve teknike dhe operacionale, eficienca dhe çmime te arsyeshme. Sipas këshilltarit për rritje ekonomike në USAID, Theodore Heisler, liberalizimi i tregut mundëson gjithashtu investimet në infrastrukturën e energjisë.[3]
Dy procedurat më të rëndësishme janë: Kompanitë të cilat do të ofrojnë shërbimin e furnizimit do të regjistrohen dhe licencohen nga ERE sipas disa kritereve dhe çmimeve të rregulluara. Ndërsa, konsumatorët do të regjistrohen si të tillë nga OSHEE.
Por nga vëzhgimi i APPA-s në praktikë, u vu re se të dyja palët e përfshira në proces, po përballen me dy probleme:
Disa nga konsumatorët që janë informuar rreth ndryshimeve, kanë shprehur se nuk po gjejnë dot furnizuesin që plotëson kërkesat e tyre. Të vendosur në këtë situatë, ata i janë drejtuar sërish OSHEE-së, por duke rritur në këtë mënyrë kostot e prodhimit, që do të sillnin si pasojë dhe produkte më të shtrenjta të konsumit.
Një pjesë tjetër e bizneseve nuk janë të informuar rreth reformës që prek drejtpërsëdrejti bilancin e tyre. Nga komunikimi ynë me disa sipërmarrje private të vendosura në Tiranë dhe në autostradën Tiranë-Durrës, mësuam se ato gjendeshin të papërgatitura për momentin kur do të jenë të detyruara të dalin në treg e të kërkojnë një furnizues.
Nga ana tjetër, janë prodhuesit ata që shprehin shqetësimin se nuk do kenë mundësi të furnizojnë në mënyrë konstante dhe pa e cenuar cilësinë, të gjithë konsumatorët. Ata janë të varur nga kushtet meteorologjike, të cilat s’garantojnë prodhim të vazhdueshëm. Një tjetër problem, është dhe aftësia paguese e bizneseve. Mungesa e likuiditetit i vendos në kushte të vështira përballë furnizuesve që cilët kërkojnë të paguhen në mënyrë të rregullt.[4]
Për të gjitha arsyet e mësipërme, lind nevoja e ndërhyrjes së qeverisë dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë si ndërmjetësi kryesor midis palëve deri në liberalizimin e plotë të tregut. APPA zhvilloi një intervistë me këshilltaren e ministrit për energjinë, Entela Çipa e cila u dha përgjigje pyetjeve të mësipërme:
Për sa u përket takimeve informuese, u shpreh se MEI ka organizuar disa të tilla me përfaqësues të lartë po ashtu edhe në nivel teknik. Ndërsa së fundmi, u organizua dhe një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Tregtarëve të Energjisë. Gjatë takimeve u shprehën detajet konkrete të ndryshimit të furnizuesit dhe çmimet do duhen të paguhen. Gjithashtu, u shpjegua dhe mënyra sesi do të procedohet për ata që do duan të blejnë energji në Bursën Hungareze. Sipas Çipës, kjo kontratë me një furnizues privat garanton cilësi më të mirë shërbimi dhe furnizimi.
Vihet re një hezitim që bizneset kanë për shkak të faktit që janë të panjohur me procedurat dhe mënyrën sesi do të kryhet procesi. Për këtë arsye, pranë OSHEE-së do të ngrihet një zyra informimi që do i pajisë me të gjitha informacionet e nevojshme.
“Gjithashtu me instalimin e sistemit të matjes online, për këto biznese tani bëhet i mundur kalimi, informimi i tyre me të gjitha të dhënat e nevojshme të konsumit duke filluar nga sasia orare, profile i ngarkesës, historiku i konsumit ndër vite, të dhëna të cilat bëjnë të mundur planifikimin e saktë të ngarkesës së tyre për lidhjen e kontratave të reja me furnizuesit”, shprehet Çipa.
Sipas planifikimeve, mendohet që klientët e parë të përfundojnë transferimin e kontratave brenda qershorit të vitit 2017. Ndërsa për klientët e lidhur me 35kV të plotësohet brenda datës 1 shtator 2017.
Së fundmi, ekziston besimi se koniunktura e çmimeve të energjisë në tregun europian, të cilat janë relativisht të ulëta në këtë periudhë, do favorizojë daljen në tregun e liberalizuar të këtyre bizneseve, të cilët nëpërmjet këtij procesi, mund të përfitojnë energji elektrike me çmime më të lira se çmimet e rregulluara të miratuara nga ERE, me anë të të cilave ata furnizohen sot.
[1] https://ëëë.energy-community.org/portal/page/portal/ENC_HOME/AREAS_OF_ËORK/ËB6
[2] http://ëëë.energjia.gov.al/al/njoftime/lajme/miratohet-ligji-per-sektorin-e-energjise-liberalizim-tregu-dhe-mbrojtje-konsumatorit&page=12
[3] http://aab-edu.net/media/gazetaknn/liberalizimi-tregut-te-cmimeve-energjetike-prej-1-prillit/