![Ilir Sinanaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/10/Ilir-Sinanaj-300x216.jpg)
Ilir Sinanaj
Aftësitë, talenti dhe dija e njeriut, si shikohen nga politika
Çështja e Kapitalit Njerëzor ka qenë kryefjala e intervistës, që moderatori i emisionit “Aktualitet”, Bejdo Malo, në Shijak TV, ka zhvilluar me gazetarin e Departamentit të Aktaulitetit në Radio-Televizionin Shqiptar, Ilir Sinanaj.
Flitet shumë se mungon pavarësia, qeveria ndikon, kryeministri merr në telefon. A ka pavarësi në RTSH?
Unë mund të them se jam ndjerë jashtëzakonisht i pavarur, nëse do të marrim steriotipet që ekzistojnë për RTSH-në, kryesisht për Departamentin e Aktualitetit. Po marr një shembull të një kronike timen që lidhet me sektorin e turizmit, për të cilën nuk dua të them se e kam bërë i vetëm pasi kemi qenë shumë njerëz të përfshirë si kryeredaktorët, montazhierët etj. Ne i diskutojmë së bashku edhe mënyrën se si do të ndërtojmë lajmin, nuk është thjesht jepet një urdhër dhe zbatohet. Në 2014 qeveria ndërmori 48 masa për përmirësimin e cilësë së sezonit turistik veror. Në fund të vitit, pasi i kisha zbardhur këto masa, morëm një zë nga opozita dhe një zë nga qeveria, duke i ballafaquar me argumenta.
Një nga temat që të kanë ngacmuar më shumë në punën tënde është ajo që lidhet me Kapitalin Njerëzor. Pse të pëlqen kjo temë?
Kjo është shumë e rëndësishme sepse çdo gjë në botë bëhet nga vetë njerëzit. Dhe kjo veprimtari e njerëzve bëhet për t’i shërbyer vetë njerëzve. Kam vënë re se në Shqipëri nuk i kushtohet rëndësi qëndrore njeriut. Pra, flasim për “x” politikë zhvillimore apo “y” politikë zhvillimore por çfarë vlere kanë këto tek njeriu, si e prekin njeriun? Në të gjithë botën aktualisht po ndërmerren shumë studime nga kompani të ndryshme për të gjetur një mënyrë efikase për të matur vlerën e njeriut. Sepse në një kompani, njeriu është aseti më i rëndësishëm. Tani, në kapitalizëm edhe mënyra se si funksionon një komb është si një kompani. Madje edhe njeriu është “kompania e vetevetes”. Prandaj njeriu duhet të zhvillohet. Pra Kapiatli Njerëzor mund të përkufizohet si aftësitë, talenti dhe dija, që i japin mundësi krijuese njeriut, duke e materializuar në të mira ekonomike etj që i vlejnë njeriut.
Sipas teje dhe në përvojën tënde si gazetar, si trajtohet Kapitali Njerëzor në Shqipëri?
Fillimisht e kam nisur me një raport të “World Economic Forum” për Kapitalin Njerëzor. Në vitin 2013 ne radhiteshim të parafundit në Ballkan dhe të 72-të në botë nga rreth 120 vende që ishin anketuar. Për të nxjerrë një vlerësim të Kapitalit Njerëzor në këtë raport ishin konceptuar disa tregues. Ai tregues ku vendi ynë kishte renditje të dobët ishte pikërisht ai që emërtohej “Mjedisi i Mundësive”. Nënkategoritë përbërëse të këtij treguesi ishin lehtësia e ndërlidhjes me transport, lehtësia e kompanive për të gjetur njerëz të aftë etj. Pra për treguesin “Mjedisi i Mundësive” ishim të renditur të 105-tët nga rreth 120 vende. Kjo ishte “thembra e Akilit” e Kapitalit Njerëzor te ne. Në rapotin më të fundit të Kapitalit Njerëzor nga “World Economic Forum” të vitit 2015 ne renditeshim të fundit në Ballkan, por kishim pasur përmirësim në rang botëror. Me sa shoh unë kjo renditje nuk tregon se janë shterruar të gjitha mundësitë, por nuk është vënë në punë Kapitali Njerëzor, pra nuk kemi politika zhvillimore për njeriun. Pra njeriu është lënë në harresë.
Le të marrim administratën. Kemi tregues ekonomikë që mund të kenë pasur rënie. Kush e ka fajin për këtë gjë? Do të shkojmë tek administrata dhe do të shohim sa ka punuar kjo administratë. Për shembull duhet bërë një plan pune dhe të shohim sa janë përmbushur objektivat ose pse nuk janë përmbushur ato, dhe të shikohet që të vendoset personi i duhur në vendin e duhur. Kjo nuk ka të bëjë me politikën, ka thjesht të bëjë me logjikën kapitaliste, sipas të cilës duhet prodhim. Nëse nuk prodhon, nuk sjell rendiment atëherë vjen një tjetër. Këtu qëndron problemi në Shqipëri. Ky Kapital Njerëzor, siç e thamë, dijet, talenti dhe krijimtaria nuk po vihet në punë. Madje njerëzit preferojnë të ikin nga Shqipëria.
Pse ikin shqiptarët?
Për këtë, në mendimin tim, nuk kemi një studim. Po të marrim të dyja anët e politikës; nga mazhoranca thuhet se po prishet imazhi ynë nga largimet, ndërsa nga opozita vetëm po vihet në pah fakti që po ikin njerëzit. Por nuk po jepet një ide e re. Problemi është po ikin njerëzit. Opozita Duhet të japë ide të reja dhe t’i vërë para qeverisë propozimet e tyre se çfarë duhet bërë, që njerëzit të mos ikin.
Kush ia kthen shpresën shqiptarave? Çfarë na mban në Shqipëri?
Fillimisht dua të shpjegoj ndërlidhjen e botës që kemi sot. Teknologjia e telekomunikacionit është e atillë sa që unë mund të jem në Shqipëri, por nuk do të thotë se jam i shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Personalisht unë kam zgjedhur në këtë moment të jem në Shqipëri sepse mendoj se këtu do të zhvilloj më shumë veten time, por pa u mbyllur nga pjesa tjetër e botës. Pra çfarë i mban njerëzit të qëndrojnë këtu? Po ta mendosh me mendje të ftohtë këtu në Shqipëri ke resurse natyrore, ke një klimë të mirë, ke njerëzit e tu. Ka ca njerëz që thonë se nuk do të thyhemi, nuk do të lemë disa injorantë të marrin poste të ndryshme, por të jemi ne ata. Ta provojmë të gjithë mundësinë tonë këtu në Shqipëri. Pastaj po të jetë vërtet e pamundur… Por unë jam i bindur se në 3/4 e të gjithë atyre që ikin, nuk i kanë ezauruar të gjitha mundësitë këtu. Kjo sepse, ndoshta, ekziston ajo mendësi se po ike jashtështetit të mbajnë atje me para. Bashkimi Evropian është punë. Kjo është një gjë që duhet thënë. Çfarë është Bashkimi Evropian? Është punë, është pjan, janë standarde. Këto duhet t’u tregohen edhe njerëzve këtu në Shqipëri.