Nga Gerion TRESKA
Çfarë na la fushata dhe zgjedhjet?!
Me mbarimin e zgjedhjeve të “nxehta” duket se kjo ka qenë, si gjithnjë tashmë, edhe një periudhë e mirë për lulëzimin e ekonomisë apo parasë informale dhe asaj që qarkullon jashtë sistemit bankar. Iniciativën për këtë konstatim, pas paralajmërimeve të APPA-s, këtë herë për efekt statistikash e ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë. Ky institucion ka zbuluar një fakt jo edhe aq të ri por gjithsesi nevralgjik i cili si në shumë raste kaloi i shurdhët dhe pa ekon e duhur, kjo ende nuk kuptohet përse…
Sipas Bankës së Shqipërisë dhe statistikave të publikuara prej saj, paraja jashtë bankave në fund të muajit korrik arriti në 253 miliardë lekë, ose rreth 1.8 miliardë euro. Dhe jo vetëm kaq, në raport me zgjedhjet e kaluara, rritja e parasë jashtë bankave ka qenë më e moderuar, ku mund të ketë ndikuar edhe fakti që këtë vit ka pasur një përdorim të lartë të valutës që hyn nga burime informale, që nuk reflektohet në statistikat zyrtare.[1]
Po sipas këtij institucioni shihet se dëmi i këtij injektimi në ekonominë e vendit ndjehet edhe në sistemin bankar, ku paraja informale, ose jashtë sistemit, është aq e lartë sa deformon edhe kërkesën për kreditim në bankat e nivelit të dytë.[2]
Së fundmi, vihet re edhe një tendencë në rigjallërimin e fenomenit të huadhënies informale.[3]
Le të përpiqemi që të aludojmë se këto para janë vetëm të qarkulluara për efete elektorale, duke përjashtuar këtu shpenzimet elektorale, ajo çfarë “vret më shumë veshin” është përdorimi i monedhës së huaj. Në botën e parasë logjika është shumë e thjeshtë, ndiq paranë të kuptosh burimin e saj. Pra, rritet paraja jashtë bankave në qarkullim, është monedhë e huaj kryesisht, aq e madhe është sasia sa ndikon në tregun e këmbimit valutor por askush nuk përpiqet të shpjegojë se përse kjo para është në monedhë të huaj.
Që të jetë në monedhë të huaj ose bëhet që të duket se njerëzit po paguhen më shumë, ose sepse tashmë vlera vendase nuk është e mjaftueshme për të ngopur elektoratin, ose sepse kjo para mund të jetë si rrjedhojë e një shitjeje të një shërbimi ose malli me tregun e huaj. Nëse është edhe kjo e fundit, çfarë është ai produkt ose shërbim i shitur sa paska sjellë kaq shumë valutë brenda vendit?
Kjo frymë e indiferencës ndaj parasë informale shkakton një lojë “ngrohjeje e ftohjeje” me sistemin bankar i cili shpesh gjendet në situata pasigurie deri në ato anomalie. Le të kujtojmë këtu se ndër borxhlinjtë më të mëdhenj, me letra, janë edhe bizneset më kryesore në ekonominë vendase.
Kur kemi rritje pse po ikim?
Me formimin e qeverisë së re, riorganizimin e ministrive dhe rikthimin e Z. Ahmetaj sërish në figurën më kryesore të ekonomisë shqiptare, rikthehet edhe rritja e numrit të shqiptarëve azilkërkues me 9% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti në krahasim me tremujorin paraardhës.[4]
Gjatë periudhës Prill-Qershor, 5955 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për herë të parë për azil në një prej vendeve të Bashkimit Europian, ndërkohë që në tre muajt e parë të vitit këto kërkesa ishin rreth 500 më pak. Shqiptarët vijojnë të mbeten grupimi më i madh azilkërkues në Europë me origjinë europiane, dhe në rang global renditen të gjashtit. Sipas Eurostat, azilkërkuesit shqiptarë janë më të shumtë në numër sesa ata nga Eritrea apo Bangladeshi.
Por a dinë këta 9% azilantë shqiptar më shumë, se ndërkohë Shqipëria po ngrihet potencialisht dhe se kjo qeveri e re premton një rritje mesatare prej 4.5% në vit? A e dinë se taksat nuk do të rriten, do të thithen investitorët “brand name”, dhe do të ketë lehtësira fiskale deri në zero tatim fitim për 5-10 vitet e para si dhe zero taksë infrastrukture?[5] E nëse i do t’i dinin këto a do kishin sërish dëshirë të iknin?
Kryesisht kemi një ekonomi që po performon për shkaqe deri diku të dyshimta por që sipas të dhënave më të fundit të INSTAT në periudhën janar-gusht, shitjet e produkteve shqiptare jashtë vendit u rritën me 12.8% me bazë vjetore, teksa për 5-mujorin, zgjerimi ishte gati 17%, për 6-mujorin 13.4% e për 7-mujorin 12.9%. Tregtia me jashtë është realisht një nga indikatorët shpresëdhënës të cilët tregojnë këtë performancë të mirë të ekonomisë[6].
Por duke qenë se investimet e mëdha në vend si TAP apo hidrocentrali mbi Devoll shërbejnë vetëm si impulse në ekonomi nuk duket se Shqipëria në krahasim me rajonin po ecën mirë në thithjen e investimeve të huaja. Nëse krahasohet me Serbinë apo Maqedoninë, lehtësisht dallohen incentivat që favorizojnë këto vende përpara Shqipërisë, ku qeveritë përkatëse të këtyre vendeve e kanë kthyer thithjen e investimeve të huaja direkte në një “biznes fitimprurës” madje të majmë dhe të qëndrueshëm për vendet e tyre.
Në mënyrë të veçantë performanca e zonave të lira ekonomike në këto dy vende ka qenë shume pozitive për ekonominë vendase ndërkohë që për Shqipërinë ka rezultuar në një dështim total ku as koncesioni nuk e zgjidhi dot, përkundrazi e futi të vetmen zonë të lirë ekonomike në sallat e gjykatave, ku zor të dilet më edhe për disa kohë.[7]
Dhe sërish i rikthehemi pyetjes fillestare, nëse kemi një rritje ekonomike, e cila synohet të mirëmbahet edhe nga Qeveria, përse kemi rritje të numrit të shqiptarëve që ikin? Kryesisht përgjigja lidhet me sigurinë që perceptojnë qytetarët e një vendi kur shqyrtojnë të emigrojnë ose jo. Me sa duket në këtë rast, shqiptarët nuk janë fort të bindur se rritja do të vazhdojë të qëndrojë në ato nivele që raporton Qeveria, ose diçka nuk po funksionon në rishpërndarjen e të ardhurave. Pra ekonomia po funksionon dhe po performon por ku po shkojnë paratë nëse nuk po shkojnë tek shqiptarët?
[1] Paraja jashtë bankave që “fluturon” ekonominë – http://www.tiranaobserver.al/paraja-jashte-bankave-ne-4-muaj-fluturojne-60-milione-euro/
[2] Paraja informale që deformon tregun e kreditimit – http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/milionat-qe-fluturuan-jashte-bankave-per-zgjedhjet-ne-shqip-ja-shuma-rekord-412633/
[3] Rikthehemi tek kreditimi informal – http://acp.al/news/3631/Paraja-jashte-bankave,-ne-4-muaj-fluturojne-60-milion-euro/
[4] Rritet numri i azilkërkuesve – http://konica.al/2017/09/rriten-azilkerkuesit-shqiptare-9-gjate-periudhes-prill-qershor-shkak-kriza-politike/
[5] Thithja e investitorëve “brand name” objektivi kryesor – http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=364219
[6] Rriten eksportet – http://www.mapo.al/2017/09/tregtia-me-jashte-eksportet-vijojne-me-rritje-dyshifrore/1
[7] Në rajon Shqipëria mbetet mbrapa për thithje investitorësh – http://www.scan-tv.com/joshja-e-investitoreve-shqiperia-larg-incentivave-qe-ofrojne-vendet-fqinje/