Gerion TRESKA, MSc
Ëndrrat e ekonomisë që kurrë se pamë të realizuar!
Vetëm pak javë më parë, me mburrje të plotë, Kryeministri Rama prezantoi programin e ri kombëtar të investimeve “Një miliard për rindërtim” në formën e partneritetit publik-privat për 3 vitet në vijim[1]. Por më shumë se një program kombëtar duket si një shuk i mirë shuplakash për ekonominë dhe financat, ashtu sikurse parapëlqen ta përdorë Kryeministri kur flitet për zgjedhjet e 2013. Fare thjeshtë disa pyetje retorike për ministrin Ahmetaj, Ekonominë dhe patjetër Kryeministrin Rama:
- Në c’pjesë të mandatit tuaj kjo lloj skeme ka funksionuar? Ku kemi eksperienca rezultative të këtij bashkëpunimi kur në kësi rastesh vetëm populli ka pësuar humbje ndërsa ju dhe kompanitë keni zhvatur?
- Ju vetë pranoni se ka risk dhe për këtë do të përfshini dhe biznesin në risk, i cili mjaft thjeshtë e kujtoni se çfarë bën kur nuhat risk? Lermëni t’jua kujtoj të nderuar, pushon njerëz nga puna.
- Duke qenë se ju jeni kaq të sigurtë se populli nuk do të paguajë asnjë taksë shtesë, me ç’mjet mund ta masë një qytetar i thjeshtë kur taksat e tij vetëm në 3 vite falë këtyre skemave tuaja u janë rritur me minimumi 15%?
Në fakt lista e pyetjeve retorike mund të vazhdojë më tej ende aq shumë sa dhe vetë Ahmetaj, Ekonomi dhe Kryeministri do fillonin të mbanin anën e popullit në këtë retorikë. Me siguri falë kësaj skeme sot Ministri Ahmetaj pret që rritja ekonomike për 2017 të arrijë në nivelin 3.5%[2]. Por fatkeqësisht megjithëse ai mendon se vështirësia ekonomike që kaluam ka ardhur për shkak të keq administrimin, harron se janë ata vetë të cilët po menaxhojnë prej pothuajse 4 vitesh tashmë. Po në këtë mënyrë Ministri logjikon edhe për kreditimin, ku pohon se pas dy viteve të vështira kreditimi tek individët është kthyer në nivele serioze.
Lavdi Zotit kemi shifrat të cilat nuk na lejojnë fort të shkojmë larg thjesht me fjalë. Në fund të Janarit shifrat flisnin për një ulje të borxhit të brendshëm, por nga ana tjetër të rritjes së borxhit të jashtëm[3]. Kjo manovër u përdor për të mos rritur një barrë mbi bankat e nivelit të dytë në vend në mënyrë që këto të fundit të mund të kreditonin individët dhe bizneset. Ajo çka ndodhi me pas ishte që impakti i kësaj manovre ishte minimal pothuajse inekzistent. Me sa duket Ministri Ahmetaj siç u shprehëm më lart ka një interpretim të tijin për shifrat.
Por në ndihmë të konkluzioneve të Ministrit nuk vjen as Studimi i Komisionit Europian mbi arsimin e lartë dhe tregun e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, ku ‘paradoksi’ i rritjes së ekonomisë shqiptare shoqërohet me norma papunësie të rritur[4]. Tashmë i kthyer në një ekonomi dhe vend paradoksesh, sërish Ministrat dhe Kryeministri i vendit tonë nuk arrijnë as të shpjegojnë këto fenomene e as të marrin masat e duhura për të ardhur gradualisht në një normalitet.
Me të gjitha sa u thanë më lart duket sikur nuk përbën problem që një shtet kandidat për në BE të jetë fabrikë e vazhdueshme fenomenesh apo edhe anomalish në sisteme ekonomike, financiare dhe politike. Është e qartë se busulla ka humbur me kohë, dhe kjo patjetër jo vetëm me këtë qeveri por që prej disa qeverisë më parë, ku nga qeveria në qeveri situata vjen duke u përmirësuar në sipërfaqe dhe duke u kalbur në brendësi. Askush nuk duket të ketë guximin në këtë vend të flasë të vërtetën pa e politizuar dhe pa e shtrembëruar, për një shtet që pretendon së shpejti të jetë pjesë e BE.
Ashtu sikurse u takon qeverive të majta edhe Qeveria Shqiptare përpiqet që të jetë sa më vigjilente dhe e kujdesshme që të ketë rregulla porcedura dhe politika të kopsitura me koncensionet, si instrumenti i vetëm i preferuar. Por në një pikë ku inventarizimi i konçensioneve të dhëna nga kjo Qeveri arrin në një listë që vjen e shtohet, edhe vetë këta të fundit e kuptojnë se e kanë tepruar paksa.
Sipas vendimit të marrë së fundmi, ministritë apo institucionet publike nuk do të kenë më kompetencë për të dhënë koncesione në mënyrë të pavarur, por duhet të kërkojnë më parë autorizimin e Ministrisë së Financave[5]. Ky “lojtar” i ri duket se do të paguajë një faturë jo fort të vogël por sipas qeverisë pa ndonjë rrezik për financat publike, shprehja e preferuar e kësaj të fundit. Ndërkohë FMN ngre fatmirësisht alarmin se të gjitha këto konçensione patjetër që do ta kenë një efekt në financat publike.
Ka dy elemente që e bëjnë shqetësues çështjen e koncensioneve, sasia si dhe koha. Tradita e qeverive shqiptare është që në muajt e fundit para zgjedhjeve të bëjnë “premtime” të mëdha elektorale të cila kanë kosto financiare në afatgjatë duke i lënë “topin” në këtë mënyrë qeverisë pasardhëse. Sipas Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve[6], edhe pse dhënia e kontratave koncesionare ka nisur që në vitin 2004, pjesa dërrmuese e tyre ose rreth 60 për qind e totalit janë miratuar vetëm në dy vite, 2009 dhe 2013, të dy vite në të cilat janë mbajtur zgjedhje të përgjithshme parlamentare.
Këtë vit risi përbën shëndetësia, ku kërkohet menaxhimi i QSUT nga një ekip ndërkombëtar[7]. Fatmirësisht fondet për këtë “konsulencë” i ka vënë në Banka Botërore dhe ky përbën lajm të mirë për shqiptarët të cilët nuk do të pagujanë ndonjë taksë më tepër por gjithsesi mbetemi ne frymën e preferuar të koncensioneve, fare pranë zgjedhjeve dhe me para jo tonat, skenari ideal. Eksperienca ka treguar se ky skenar është ideali për “mbushje xhepash” pasi pothuajse asnjë konsulencë e këtij lloji nuk ka dhënë efekte pozitive kudo që të jetë implementuar.
Në këtë rrjedhë të “mbarë” konçensionesh duket se pak u mbetet të veprojnë ose kundërveprojë shqiptarëve të cilët nuk mendoj se do ta kishin parashikuar qeverinë e tyre të majtë t’u dorëzohej koncensioneve. Aq më pak në kuadër të integrimit e gjithë kjo frymë nuk i jep aspak seriozitet qeverisë e cila po vazhdon të përsërisë tradicionalisht gabimet e qeverive të tjera. E në këtë mes, shqiptarëve u mbetet të shpresojnë në anëtarësimin në BE si rrugëzgjidhjen e vetme për të shpëtuar nga politikat kapriçoze të qeverive që synojnë të pasurohen me ideologji herë-herë edhe anti kombëtare.
[1] Programi i ri kombëtar i investimeve – http://www.panorama.com.al/nis-projekti-1-miliard-euro-investime-rama-e-para-rruga-e-arbrit/
[2] Ahmetaj, rritja për 2017, 3.5% – http://telegrafi.com/ahmetaj-rritja-ekonomike-per-2017-3-5/
[3] Ulet borxhi i brendshëm – http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=346059
[4] Studimi i Komisionit Europian mbi arsimin e lartë dhe tregun e punës në vendet e Ballkanit Perëndimor – http://acp.al/news/3061/BE-zbulon-paradoksin-shqiptar,-rritje-ekonomike,-por-te-diplomuarit-jane-pa-pune/
[5] Konçensionet me rregulla të reja – http://www.tematv.al/2017/02/23/koncensionet-n%C3%AB-dor%a%AB-t%C3%AB-nj%C3%AB-ministrie
[6] Konçensione për zgjedhje – http://acp.al/news/3099/Koncesionet,-rritet-numri-i-tyre-ne-prag-zgjedhjesh/
[7] QSUT me menaxhim me konsulentë – http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/02/25/hapet-gara-shendetesia-kerkon-menaxhim-nderkombetar-per-qsut-ne/