Endrit KAPAJ, LLM
Reforma në Drejtësi
Fjala kyce e në këtë periudhë, është Reforma. Pas thuajse një viti formulimesh ligjore për drejtësinë, përplasje politike dhe presioni diplomatik, u miratua paketa e ndryshimeve kushtetuese, apo ndryshe “Reforma në Drejtësi” dhe tashmë Reforma është në fazën e zbatimit të saj, pra e miratimin e paketës ligjore dhe ngritjes se institucioneve ne zbatim te saj.
Ligji më I rëndësishëm, përsa I përket sistemit të Drejtësisë është ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ose sic njihet gjërësisht ligji I Vetting.
Ndër qëllimet dhe objektivat e këtij ligji spikat nevoja për të adresuar problemet që kanë lindur nga shkalla e lartë e korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ekzistenca dhe niveli i korrupsionit në drejtësi nuk është më vetëm një çështje e perceptimit nga publiku, por edhe një fakt i pranuar nga vetë gjyqtarët, sipas të cilëve sistemi i drejtësisë nuk është i çliruar nga influencat e jashtme.
Deri më sot, sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka rezultuar i paaftë për të identifikuar dhe nxjerrë jashtë sistemit të elementëve të korruptuar ose të papërgatitur profesionalisht. Për këtë arsye, vlerësimi profesional i gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet një kusht i domosdoshëm për realizimin e të gjitha objektivave që shtron Amendamenti kushtetues dhe dokumentet politike të Reformës në Drejtësi.[1]
Duke u nisur nga hipoteza e mësipërme, në ligj, konkretisht në nenin 56, është parashikuar mundësia e dorëheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët mbi të gjitha nuk justifikojnë pasurinë e tyre. Sipas dispozitës se sipërcituar gjyqtarët dhe prokurorët kanë të drejtë të japin dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.[2]
Komisioni i Venecias me opinionin e ndërmjetëm CDL-AL (2015)045 dhe opinion final CDLAD (2016) 009 është shprehur se: “……që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi.”
Proçesi i rivlerësimit është një proçedurë disiplinore sui generis, ku gërshetohen tiparet e proçesit administrativ me atë gjyqësor.
Nga verifikimi në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës rezulton se, vetëm katër (4) subjekte kanë dhënë dorëheqjen, konkretisht tre (3) gjyqtarë dhe një (1) prokuror.[3] Numër I papërfillshëm, I cili nuk justifikon pritshmërinë e publikut apo edhe të vetë institucioneve, duke u bazuar në hipotezën mbi bazën e së cilës u hartua dhe u miratua ligji I vetting.
Por përse nuk ka dorëheqje? Bazuar në sondazhet dhe anketimet nga institucionet vendase dhe të huaja, perceptimi publik është që drejtësia është sektori më I korruptuar. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë ndihmuar në nxitjen e këtij perceptimi, së pari me punën e tyre, shpesh herë jo profesionale dhe vendime të padrejta, së dyti, në shfaqjen dhe kontaktet publike dukshëm shpenzimet nuk justifikohen me të ardhurat nga paga.
Mesa duket shërbyesit publik të drejtësise, gjyqtarë dhe prokurorë, kane vënë një “bast” me publikun dhe institucionet: 1. Reforma nuk është nisur nga prerogativë reale dhe gjithshka deri më tani është paraqitur e deformuar në sytë e publikut dhe institucioneve; 2. Reforma nuk do të zbatohet ose nuk do të ketë pasoja mbi gjyqtarë dhe prokurorë. Për të shpjeguar këtë sjellje po analizojmë disa apekte:
- Unioni i Gjyqtarëve, që në krye të herës, ngriti pretendime për papajtueshmëri të ligjit të Vetting me ndryshimet konsensuale të Kushtetutes. Thelbi i gjithë pretendimeve përmblidhej në atë që i gjithë procesi në vend që të nisë, të kryhet e të përfundojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e vijueshëm të organeve të reja të Vetting – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Apelimit (KA) – i nxjerr këto jashtë loje që në nisje e përgjatë procesit përveçse në fundin të tij ndërsa i jep rol thuajse shterues e paracaktues organeve ekzistuese ligjzbatuese nën varësinë e mazhorancës si ILDKP, DSIK etj. Sistem i kthyer përmbys. Bazuar në këto pretendime u kërkua rrëzimi në tërësi i ligjit të Vetting.
- Cilësia e procesit të vlerësimit paravotues të kandidatëve, apo e quajtur ndryshe vettingu i atyre që do të bëjnë vettingun për të tjerët, është më e plotë, më solide, më transparente, më e paanshme. Megjithëatë, lista e publikuar nga Avokati I Popullit, lë mjaft për të dëshiruar përsa I përket cilësisë etiko-profesionale të kandidatëve. Tek e fundit, anëtarët e komisioneve të vetting, KP, KPK, KA do të gëzojnë statusin e gjyqtarëve të lartë apo kushtetues ndaj përzgjedhja e tyre duhet të mbështetet në një procedurë të barazvlefshme nga cilësitë më atë të përzgjedhjes së gjykatësve të lartë apo kushtetues.
Mjaft kandidate potencial hezituan të aplikonin dhe u deshën deklaratat publike nga ana e Ambasadorit të SHBA që të shpëtonin proçesin e aplikimeve. Mungesa e kandidaturave me integritet të lartë moral dhe professional, mund të shpjegohet edhe me mungesën e besimit ne publik se Reforma do të merret seriozisht.
[1] Relacion shpjegues I Ligjit https://ëëë.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/2ç0616relacion-rivleresimi_0.pdf
[2] Ligj 84/2016 “Per vleresimin kalimtar te gjyqtareve dhe prokuroreve te Republikes se Shqiperise”
[3] Publikimet e doreheqjeve sipas Ligjit 84/2016 http://president.al/