Më 22 Prill të 2016 Shqipëria, në radhë 195 vende të tjera, firmosi marrëveshjen e Parisit, e cila u ratifikua dhe hyri ne fuqi më 21 Shtator të vitit 2016. Përpos aspiratave të shumta për një të ardhme të qëndrueshme, pjesë e rëndësishme e marrëveshjes janë 17 Objektivat për një Zhvillim të Qëndrueshem, të formuluara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) të cilat pritet të arrihen deri në vitin 2030.
Disa nga objektivat janë eliminimi i varfërisë, barazia gjinore, energji e pastër dhe e përballueshme, prodhim dhe konsum i përgjegjshëm, jeta nën ujë etj. Vende të zhvilluara si Gjermania kanë filluar implementimin e tyre dhe duke filluar nga qeveria e ardhshme (2017-2021), çdo katër vjet do u jepet prioritet vetëm disa prej objektivave ku edhe do të investohet.
Madje, sapo hap faqen zyrtare në internet të Ministrisë gjermane së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, mund të shihet në faqen e parë Agjenda 2030 dhe 17 Objektivat për nje Zhvillim të Qëndrueshem. Duke qenë se Shqipëria është një vend në zhvillim, janë parashikuar fonde nga OKB për arritjen e objektivave. Dy ministritë të cilat kanë përgjegjësinë më të madhe për komunikimin, implementimin dhe vlerësimin e 17 Objektivave janë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Minstria e Mjedisit.
Më 22 Prill, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës dhe një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes së Parisit, hapat përpara të Shqipërisë në këtë drejtim, janë pothuajse të padukshëm. Po ashtu në Ditën e Tokës, përveç se pastrimit të disa plazheve nga grupe vullnetarësh, shmanget perballja nga institucionet përkatese me problemet e vërteta që hasen përditë, si për shembull sasia e lartë e dioksidit të karbonit në ajër e cila ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Edhe ulja e emetimit të dioksidit të karbonit është një nga pikat e marrëveshjes, por sa të mundur e ka një vend si Shqipëria, ku nafta është pasuri natyrore, kalimin në burime energjie të rinovueshme duke ulur kështu emetimin e dioksidit te karbonit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit?
Çështja bëhet më komplekse kur flasim për menaxhimin e mbetjeve. Nuk ka vetëm një mungesë të ndarjes së mbetjeve në burim dhe mungesë të trajnimit të qytetarëve për këtë temë, por sasia e mbetjeve të groposura po rritet gjithnjë e më shumë, pasi sasia e mbetjeve të riciklueshme është më pak se 20 përqind. Është e provuar që rritja e qëndrueshmërisë për disa procese dhe impaktit të tyre positiv në mjedi, ka kosto. Këto kosto mund të pasqyrohen edhe në rritjen e çmimit të disa mallrave për qytetarët dhe rasti më i afërt mund të jetë vendosja e taksës për qeset plastike.
Por, a është Shqipëria gati të krijojë një rritje ekonomike të pranueshme nga Bashkimi Europian (BE), me qëllim çeljen e negociatave për antarësimin në BE, duke e ditur se fillimisht duhet të plotësohen kushtet e më pas të nisin diskutimet (parimi i kushtëzimit) dhe njëkohësisht të implementojë politikat për një zhvillim të qëndrueshëm?
Përgatitur nga: Henri Haxhiraj