Ditët e prillit, ditë deklaratash, akuzash politike të akumuluara dhe marinuara me urrejtje ndaj njëri -tjetrit në mënyrë që akuzuesi të japë më shumë argumente bindëse se sa pala që akuzon. Në morinë e mediave që ndjekin hap pas hapi lëvizjet e pozitës dhe opozitës, pa dashur gjendemi mes inflacionit në rritje të deklaratave për shtyp, intervistave dhe shfaqjes gjithnjë e më tepër të politikanëve me një qëllim të vetëm, krijimin e sasisë por jo cilësisë në ato çka ndodhin dhe flasin. E kur ka sasi, por cilësi jo, nisin gafat si dhe akuzat pa bazë të palëve ndaj njëra tjetrës. Por në fund të fundit të gjitha këto bien mbi ne, na drejtohen ne dhe po prapë pasoja jemi ne, qytetarët, populli.
Ne që “eksodohemi” drejt vendeve preferenciale në perëndim, ne që kërkojmë veç një jetesë më dinjitoze asgjë më shumë se kaq, dhe kjo na bën aq vulnerabël saqë mund t’i besojmë edhe një gënjeshtre të cilën e përbuznim dikur. Duket sikur politika mezi c’ pret të fragmentojë dhe të përçajë ndjesinë e komunitetit, shumicës dhe popullit. O burra t’i ndajmë në PD, PS apo LSI apo parti të tjera në të ashtuquajturat bastione. Të ushqejmë egon e çdo individi, që t’i marrim votën. Ama, atë ego, që ngrihet mbi shtypjen e të tjerëve. Ky është mesazhi që merret sot nga të gjitha deklaratat politike të partive në vend.
Edhe Ministri Veliaj duket se nuk i shpëtoi tundimit të përçarjes, pasi mesa duket vetëm PS di të mirëmenaxhojë. Ministri lëshoi një deklaratë sot, e cila, nëse unë do të jetoja në një komunë apo bashki e drejtuar nga PD në veri të Shqipërisë, do të ndjehesha i fyer dhe aspak i përfaqësuar nga ky ministër i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Mesazhi se mirëmenaxhimi është vetëm në komunat dhe bashkitë e PS mund të jetë një ftesë për një eksod të brendshëm, të ikim nga komunat dhe bashkitë e PD e të jetojmë në ato të PS.
Një deklaratë kjo e cila është në mënyrë jo etike e pa mbështetur në fakte, statistika dhe numra të cilat pohojnë fjalët e Ministrit, i cili e ka nisur fushatën që nga pozicioni që akoma mban. Dhe në një deduksion logjik kjo më çon të mendoj se nëse Veliaj do të jetë Kryetari i ri Bashkisë së Tiranës do të bëjë Tiranën një vend zhvillimi perëndimor e për pasojë do të ketë akoma më shumë dyndje për në Tiranë, pse jo akoma më shumë papunësi, pse jo akoma më shumë asfiksi, pse jo akoma më shumë informalitet në një kryeqytet që i përngjan një grope thithëse e çdo investimi dhe energjie pozitive, kushdo që ta drejtojë, sepse prej shumë vitesh tashmë në Shqipëri duket se ekziston vetëm Tirana.
Shpresoj fort që kushdo që të fitojë pozicionin e Kryetarit të përfaqësojë denjësisht të gjithë qytetarët e Tiranës, e kështu të ndodhë në çdo komunë e bashki në të gjithë Shqipërinë, pa i ndarë në grupime politike, pa i përçarë por duke i parë ashtu siç i takon plot dinjitet, integritet dhe qytetari.
Gerion Treska
Leave a Comment