
Gerion TRESKA, MSc
1- Biznese ka, por jo ekonomi!
Në vesh të shurdhët duket sikur ra fjalia, “Jam i zhgënjyer…” i Ambasadorit Lu në fjalën e tij përshëndetëse botuar në fillimin e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane 2015-2016. Sipas këtij indeksi 90% e treguesve të matur kanë shënuar përkeqësim ku problemet kryesore mbeten niveli i përgjithshëm i taksave, monopoli e konkurrenca e pandershme si dhe burokracitë e qeverisë[1]. Rënia me 4.38 pikësh përbën herën e parë që ky Indeks shënon rënie që prej vitit 2012, vit i parë kur nisi të matej ky Indeks. Duke pasur parasysh se ky Indeks mat elementë si:
- Politikat e qeverisë,
- Nivelin e taksave,
- Korrupsionin,
- Informalitetin,
- Zbatimin e ligjit,
- Elementë të performancës së bizneseve në Shqipëri,
- Performancën e ekonomisë shqiptare.
Pavarësisht të gjithë elementëve të rëndësishëm që mat ky Indeks nuk u duk se pati ndonjë reagim pozitiv ose negativ nga asnjë përfaqësues i qeverisë. Indiferencë kjo e cila në fakt shpreh shumë më shumë se sa një apo disa deklarata. Nuk është për t’u habitur një sjellje e tillë, pasi të njëjtin qëndrim po kjo qeveri po mban edhe ndaj legjendës së Reformës në Drejtësi pavarësisht se kambana e Ambasadorit Lu dhe e Vlahutin po bien vazhdimisht madje edhe me tone kumbuese për pozitën dhe opozitën.
Po ashtu e zhgënjyer duket edhe FMN e cila shprehet në një raport të posaçëm për politikën fiskale se qeveria shqiptare nuk ka arritur të përmirësojë të ardhurat, pavarësisht rritjes së taksave më 2014, duke e bërë Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon dhe me rendimentin më të ulët fiskal[2].
I vetmi i cili duket se mund t’i përgjigjet përfundimeve dhe argumenteve të mësipërm, megjithëse me mjaft rezerva dhe vështirësi, është Guvernatori Sejko. Në një fjalim të tijin ai thekson se rekomandimet dhe politikat e përcaktuara nga FMN janë ndjekur, madje kreu i Bankës së Shqipërisë u shpreh se ekonomia shqiptare po rikuperohet nga viti në vit[3]. Por ajo që është shqetësuese është se duket sikur Guvernatori është i vetëm në këtë front pasi Ministri i Financave nuk duket në asnjë deklaratë apo referim t’i përgjigjet qoftë rënies së Indeksit apo edhe vërejtjeve të FMN-së. E akoma më në heshtje qëndron Ministrja Ekonomi e cila aktivitetin e saj dhe të ministrisë që përfaqëson e ka të përqendruar në takime protokollare të cilat ende duken shterpë ose pothuajse aspak funksionale në terma afatshkurtër.
Pa dyshim që kjo nuk është hera e parë se si aktorët e huaj jo vetëm e shikojnë por edhe e matin realitetin shqiptar më mirë se sa vetë qeveria, opozita apo edhe qoftë shoqëria civile, duke treguar në këtë mënyrë një interesim shumë më të sinqertë për të ardhmen e Shqipërisë më shumë se sa edhe vetë shqiptarët. FMN-ja është një institucion i cili është kundërshtuar fort nga turmat në disa vende për masat e ashpra të ndërmarra në lidhje me ekonominë, duke çuar në revolta e nxehje situatash popullore, por në rastin e Shqipërisë ajo që e dëmtoi më shumë situatën ekonomike ishte vetë qeveria jonë e cila në nivel taksash zuri kryesimin për vendin me taksa më të larta në rajon por ndërkohë u tregua plotësisht ineficente.
Dhoma Amerikane gjithashtu, është një nga institucionet më serioze dhe dinjitoze duke u treguar gjithnjë e gatshme në partneritetet dhe inkurajimet reale me efekte pozitive në ekonominë shqiptare. Ndërsa qeveria dhe klasa politike shqiptare duket se nuk do të arrijnë kurrë të krijojnë një realitet prosperiteti shqiptar ku funksionon tregu i lirë dhe shteti ruan në mënyrë të qëndrueshme rolin e nxitësit të prosperitetit, taksat që ndihmojnë zhvillimin ekonomik në nivel mikro dhe makro, por mbi të gjitha një ekonomi e cila do ta ridimensionojë Shqipërinë në tregjet lokale dhe ato ndërkombëtare.
Nëse Dhoma Amerikane, si dhe institucione të tjera po kaq serioze, dallojnë se kemi prani monopolesh, korrupsioni i cili dëmton zhvillimin, burokracira të cilat vonojnë më kot ritmin progresiv të biznesit, favorizimet dhe informaliteti mbizotërojnë dhe ligji zbatohet vetëm në disa raste, atëherë është e kotë të gënjejmë veten se kemi një ekonomi shqiptare. Në të vërtetë kemi një pazar ku në rastin më të mirë kompanitë thjeshtë shesin dhe njerëzit përpiqen t’i mbijetojnë xhunglës së krijuar pa rregulla të ashtuquajtur ekonomi shqiptare.
2- Po rritja nga do vijë?!
Për herë të dytë FMN detyron Qeverinë Shqiptare të vendose rregull për sa i takon borxhit publik. Pasi në vitin 2008 u vendos me ligj kufiri për nivelin e borxhit publik dhe po ky ligj u shfuqizua më 2012, “mullari” i keq llogaritjes së borxhit si dhe optimizmi euforik i rritjes ekonomike çuan në trashëgimin e një borxhi por njëkohësisht edhe tradite të qeverive shqiptare, ku ose rriteshin shpenzimet qeveritare ose jepeshin koncesione marramendëse[4]. Sidomos në periudha vitesh elektorale, borxhi kërcente në shifra të frikshme dhe asnjëherë transparente me publikun.
Tani më që prej këtij muaji, FMN-ja i imponoi Shtetit Shqiptar një set të ri dhe të detajuar rregullash, të cilat synojnë të detyrojnë qeverinë të mbajë disiplinë buxhetore të tillë që të sjellë reduktim të borxhit publik si përqindje e PBB-së si dhe të përmbajë veten nga krijimi i llojeve të tjera të borxhit publik, të tilla si kontratat koncesionare me kosto buxhetore si ato që janë përdorur nga qeveria aktuale.
Por si ka mundësi që një institucion ndërkombëtar të ketë kaq dhembshuri dhe durim që të sistemojë borxhin publik? Mos vallë kjo sepse vihet re se klima për investimet e huaja është gjithnjë e më shumë drejt destabilitetit? Apo sepse ndodh që Qeveria merr borxh për të shlyer borxhe të tjera? Si në rastin ku BERZH akordoi një borxh prej 250 Milion Eurosh për sektorin elektroenergjetik shqiptar me qëllim që kjo shumë të shkojë për shlyerjen e borxheve me garanci qeveritare që KESH u ka bankave të nivelit të dytë[5].
Është mjaft e dukshme se ekonomia vendase nuk mundet që të ekzistojë me kapital apo kompani shqiptare, ndaj dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë janë themeluar me kapital të jashtëm. Ajo që është akoma më shumë për të ardhur keq është se Qeveria nuk po bën pothuajse asgjë për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme e cila të gjenerojë kapital shqiptar.
Edhe Konfindustria i bashkohet këtij shqetësimi duke theksuar se ka një rënie me 40% të investimeve të huaja në 3-mujorin e parë të vitit 2016 krahasuar me vitin paraardhës[6]. Një shqetësim pothuajse i njëjtë me atë të Dhomës Amerikane i cili sërish nuk ka pothuajse asnjë lloj efekti mbi Qeverinë ose institucionet e saj.
Nëse injeksioni i fundit i ekonomisë mund të ishin investimet publike edhe ky “fishek i fundi” u limitua me kërkesë të FMN-se dhe plotësisht me të drejtë, duke pasur parasysh që ndodhemi edhe para vitit elektoral. Nëse investime publike nuk do të kemi, kompanitë vendase nuk prodhojnë dot kapital shqiptar, investimet e huaja janë drejt rënies ose edhe ato të interesuara janë kompani të dyshimta, kush do të sjellë rritjen? Me “shtrëngimin” e fundit të FMN-së të paktën nuk do të kemi më koncesione ose asfalt elektoral por do të mbahemi me shprese tek paratë që do të vijnë nga turizmi dhe vera e nxehtë që falë ngrohje globale do të zgjasë diçka më shumë.
[1] Ideksi i Biznesit i Dhomës Amerikane bie me 4.83 pikë – http://www.balkanweb.com/site/indeksi-i-biznesit-i-dhomes-amerikane-bie-me-4-83-pike-perqindje-donald-lu-jam-i-zhgenjyer/
[2] Dështon Politika Fiskale sipas FMN – http://www.monitor.al/fmn-vulos-deshtimin-e-politikes-fiskale/
[3] Sejko, ne kemi ndjekur të gjitha politikat e FMN-së – http://www.oranews.tv/ekonomi/sejko-kemi-ndjekur-politikat-e-percaktuara-nga-fmn-ekonomia-po-rikuperohet/
[4] FMN ndërmerr ndryshime thelbësore për Borxhin Publik – http://www.reporter.al/ligji-i-ri-buxhetit-jo-me-koncesione-rritje-te-borxhit-publik-apo-asfalt-elektoral/
[5] BERZH i jep Qeverisë Shqiptare 250 Milion Euro borxh – http://acp.al/news/2331/BERZH-jep-250-milione-euro-kredi-per-energjine-dhe-transportin/
[6] Konfindustria, investimet e huaja kane rene me 40% – http://acp.al/news/2346/Konfindustria:-Investimet-e-huaja-kane-rene-me-40-per-qind-gjate-2016-s/