
R. Caushaj
1- Rezoluta[1]
Sikurse kemi analizuar në raportin e mëparshëm[2], rezoluta mbi Shqipërinë nuk ka qenë me nota pozitive. Shqetësimet kryesore të evidentuara nga parlamentarët europianë nëpërmjet amendamenteve, u pasqyruan besnikërisht në rezolutën përfundimtare[3], nga ku ishte e qartë se ndonëse reformat kanë qenë kryefjala e disa qeverive, por sidomos kësaj të fundit, progresi është ende i largët. Ajo çka ka rënë në sy është theksimi se ecja në këto reforma pengohet vetëm nga vullneti politik e kjo kuptohet jo vetëm nga vlerësimi direkt, por edhe nga thirrja për implementimin e ligjit të dekriminalizimit, reformës zgjedhore apo asaj në drejtësi, të gjitha të varura nga serioziteti i klasës politike.
2- Raportimi 3 mujor[4]
Është publikuar këtë muaj Raporti 3 mujor i Ministrisë së Integrimit, i cili në thelb është një dokument që tenton të masë përkthimin e Acquis Communaitaire në legjislacionin kombëtar. Nga njëra anë përgëzojmë ministrinë për punën e bërë dhe nga ana tjetër, vumë re nuk dimë të themi a ka qenë një proces i suksesshëm apo ka lënë për të dëshiruar, duke qenë se nuk gjejmë askund një tabelë pune apo objektivash për t’u përmbushur në mënyrë që të bëjmë krahasimin. Më tej disa nga vërejtjet mbi raportimin:
- Raporti duhet të ketë një karakter më vlerësues, jo thjeshtë data të mbledhjeve të bëra apo se sa ligje janë përkthyer. Mendojmë se duhet të ketë një vlerësim cilësor të punës së Grupeve Ndërinstitucionale të Punës
- Nuk mendojmë se përcjellja në raport e deklaratave zyrtare të debatueshme e të interpretueshme të zyrtarëve të ndryshëm të BE përben njësi matëse të progresit dhe një pjesë e mirë e raportit është e mbushur me deklarata të tilla.
- Vlerësojmë se i ashtuquajturi “Monitorimi i progresit të arritur në pesë prioritetet kyçe gjatë periudhës” nga ana e Ministrisë nuk është aspak i tillë duke qenë se deklarimet e qeverisë shqiptare për objektiva të përgjithshëm si vullneti i saj për hyrjen në BE dhe reformat, nuk hyjnë në analizën profesionale apo matjen e paanshme të procesit që i kërkohet Ministrisë.
- Mendojmë se përfundime të tilla si “Masat e Planit janë zbatuar rregullisht sipas kohës së planifikuar për zbatim.” (Fq.13) nuk e kanë vendin në një raport në momentin që nuk ka referenca.
- Raportimi mbi miratimin e projekt akteve është ai i vitit të kaluar dhe mungon ai për 3 mujorin e parë të 2016 siç kërkohet.
- Monitorimi i projekteve IPA nuk mund te quhet i tillë në momentin që thuhet se ka pasur probleme, por nuk ka asnjë ndërlidhje për të parë projektet apo kur thuhet se ka probleme, por nuk parashtrohet se cilat janë këto probleme, përse dhe si u është dhënë zgjidhje. Siç e ka theksuar ironikisht edhe Zv. Ministri, Znj. Xhixho “Monitorimi i IPAs është i domosdoshëm për të evidentuar progresin e përdorimit të fondeve”.[5]
- Në tërësi Raporti i ngjan thjeshtë një axhendë pune 3 mujore, ku janë rreshtuar takimet dhe çfarë është bërë, por mungon analiza e punës së bërë e mbi të gjitha indikatorët matës.
3- Programi Interreg IPA II CBC Greqi-Shqipëri 2014-2020[6]
Është shpallur në Faqen e Ministrisë këtë muaj thirrja e dytë për projekte konkrete në kuadër të programit Programi Interreg IPA II CBC Greqi-Shqipëri 2014-2020, ku pretendohet përmirësimi i infrastrukturës nga dy anët e kufirit, zhvillimi i burimeve energjike të qëndrueshme, stimulimi i ekonomive lokale dhe turizmit. Pritet që propozimet të vijnë nga organizata me partner nga dy vendet. Ajo që është vënë re është se përveç këtij njoftimi nuk ka asnjë referencë se çfarë zhvillimesh ka pasur që nga hapja e thirrjes së parë në dt. 26 Shkurt, e cila në atë kohë nuk është publikuar nga ana e Ministrisë, por vetëm te faqja European Union External Action[7]. Ky program, i dizajnuar në kuadër të Bashkëpunimit Territorial Europian, tenton të shtojë lidhjet ekonomike dhe kohezive të vendeve fqinje e sidomos midis vendeve anëtare e atyre aspirante. Ajo që mungon dhe padyshim është një mangësi që buron nga administrata e mëparshme, është një raport që përcakton se si ka ecur Programi Interreg IPA I, 2007-2013, por që vlerësojmë se është e nevojshme një analizë e ecurisë së atij programi qoftë edhe për të kuptuar a ka pasur një progres dhe a janë shfrytëzuar mundësitë që jep ky program dhe si. Nuk ka asnjë informacion të hapur për publikun mbi projektet e realizuara në atë periudhë për Korçën, Vlorën e Gjirokastrën apo qoftë edhe një përmbledhje informuese. Gjithsesi, shpresojmë që këto projekte të jenë fitimprurëse për zonat dhe zhvillimin e vendit duke qenë se vijnë edhe në kuadër të kritikave që qeveria aktuale ka marr për mungesën e projekteve konkrete afatgjata për integrimin e investimeve infrastrukturore vendore me ato të BE[8], ku ekspertët kanë vlerësuar se ajo po favorizon projekte lokale të parëndësishme dhe me faturë të lartë financiare.
4-Çudira me transparencën e Ministrisë
Nuk mund të mos prekim disa aspekte që na kanë bërë përshtypje në Faqen Zyrtare të Ministrisë së Integrimit, e cila mesa duket është dizajnuar së fundmi për t’iu përshtatu propagandës së Partisë Socialiste. Në momentin që faqet ndërrohen, shfaqjet logua “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, një fushatë tërësisht partiake që nuk ka vend në faqen zyrtare të një institucioni kombëtar serioz.
[1]http://www.integrimi.gov.al/al/dokumente/raporte/rezoluta-e-parlamentit-europian-per-shqiperine-2015&page=1
[2] https://appa.brentonkotorri.com/raport-mars-2016-ministria-e-integrimit-europian/
[3] http://exit.al/2016/04/15/10650/
[4]http://www.integrimi.gov.al/al/dokumente/raportim-ne-komisionin-parlamentar-te-integrimit/raportim-per-vitin-2015&page=1
[5]http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/lajme/zv-ministrja-xhixho-monitorimi-i-ipa-s-i-domosdoshem-per-te-evidentuar-progresin-e-perdorimit-te-fondeve&page=2
[6]http://www.integrimi.gov.al/al/newsroom/njoftime/njoftim-mbi-shpalljen-e-thirrjes-se-dyte-per-projekt-propozime-programi-interreg-ipa-ii-cbc-greqi-shqiperi-2014-2020
[7]http://eeas.europa.eu/delegations/albania/press_corner/all_news/news/2016/news20160217_sq.htm
[8] http://exit.al/2016/04/06/erqeveria-po-gropos-150-milione-euro-ne-malet-e-mokres-per-te-na-mbajtur-te-izoluar-nga-europa/