
R. Xhemollari
1- Zgjedhjet partiake në universitete. Studentët fasadë, jo faktorë.
Një javë pas mbarimit të zgjedhjeve në universitete mund konstatojmë një sërë elementesh që fatkeqësisht zhvlerësojnë dhe polemizojnë standardin e zgjedhjeve të akademikëve, që do të drejtojnë universitetet katër vitet e ardhshme. Fushata nisi me baltosje, dhunë psikologjike, shantazhe dhe premtime për karrige. Procesi u shoqërua me tensione, parregullsi, vonesa dhe orientime partiake për të votuar. MAS publikisht mbajti qëndrim asnjanës, por realisht lejoi që pranë fakulteteve të qëndronin njerëz partiakë, lejoi që në lista të konkurronin njerëz partiakë, ku rasti më flagrant është ai i UT, në të cilin 4 konkurrentë për senat ishin pjesë integrale e strukturës së njërës nga tre forcat e mëdha politike në vend[1]. Sa i përket transparencës dhe monitorimit në faqen zyrtare te Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nuk kemi akoma të shpallur as lista të fituesve, as raport për ecurinë e procesit, përveç një premtimi të znj. Nikolla për të mbajtur politikën larg këtyre zgjedhjeve. Por këto premtime kërkojnë akte konkrete, që nuk i pamë as në parandalimin e orientimeve politike në qendrat e votimit, prezencën e njerëzve partiakë në to dhe as ndonjë përjashtim nga lista për shkak të angazhimit politik.
Studentët fatkeqësisht u përdorën si fasadë për kandidatët, të cilët lanë një pozicion për të marrë një tjetër dhe megjithëse pjesëmarrja në zgjedhje ishte 98 %, votat e studentëve nuk vendosën për asnjë kandidat në Shqipëri[2]. Rektorët dhe dekanët u zgjodhën me votat e pedagogëve pa u numëruar ende ato të studentëve. Edhe ata studentë që u zgjodhën në pozicionet e anëtarëve të senatit akademik, nuk përfaqësojnë zërin e studentit, por të forcave politike që përfaqësojnë dhe ku janë pjesë e strukturave.
2- Testi për klasat e 5-ta. MAS eksperimenton duke shpikur një provim kombëtar. Shkel ligjin e arsimit parauniversitar.[3]
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, përmes një udhëzimi të datës 11 prill 2016, i cili hyri menjëherë në fuqi, zuri në befasi mësuesit dhe nxënësit e arsimit fillor shqiptar kur urdhëroi zhvillimin e testit të vlerësimit të arritjeve të nxënësve të klasave të 5-ta më 23 maj 2016. Përveç eksperimentimit dhe paqartësisë për efektet dhe pasojat që ka ky testim mbi nxënësit, udhëzimi i ministres mbart në vetvete një kundërshti ligjore të paprecedentë. Në udhëzim thuhet se baza ligjore i referohet nenit 49 të ligjit të arsimit parauniversitar, nen që parashikon hartimin e testit nga mësues të certifikuar, kompetencë të cilën udhëzimi ja ka deleguar AKP.
Gjithashtu ky nen parashikon vetëm dy provime kombëtare, provimin e arsimit bazë dhe atë të maturës shtetërore. Provimi i ndërmjetëm kombëtar nuk është i parashikuar dhe nëse realizohet një i tillë sipas pikës 1 të këtij neni, kjo bëhet për një numër të caktuar nxënësish. [4]Ky udhëzim shpreh qartë mungesën e vizionit, të profesionalizmit dhe të përgjegjësisë për të nxjerrë akte të studiuara dhe për të realizuar procese në interes të qytetarëve, të cilët i kanë besuar të ardhmen e fëmijëve këtij institucioni.
3- Ministrja Nikolla piloton fenë pa trajektore
Pas deklaratës bombë të kryeministrit për futjen e lëndës fetare në shkolla dhe kaosit mediatik të krijuar nga paqartësia e realizimit konkret të kësaj nisme, qëndrimi që e vulos këtë kaos është ai i ministres znj. Nikolla, e cila shprehet[5]: “Ne po punojmë jo për të futur mësimin e fesë në shkollë, por të futur një modul që nxënësit të mësojnë se çfarë përfaqësojnë kulturat fetare”. Kjo deklaratë kontroverse vazhdon me paqartësi për emrin dhe përmbajtjen e tekstit, për kurrikulumin e stafit që do të marrë përsipër mësimin e kulturës fetare dhe për afatin e aplikimit, kur dihet se nuk ka mbetur edhe më shumë se 2 muaj kohë për mbylljen e këtij viti shkollor.
Në analizën e deklarimeve politike vihet re qartë se bombën që hodhi kryeministri në mes të komunitetit mysliman, e shoi ministrja e arsimit me paqartësi bindëse dhe mungesë totale informacioni për institucionin që përfaqëson në radhë të parë, e po ashtu edhe për komunitetet fetare dhe qytetarët.
[1]Faqja zyrtare online e MAS
http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/njoftime/asnje-nderhyrje-politike-ne-autonomine-universitare
[2]Faqja zyrtare portali Balkanweb
http://www.balkanweb.com/site/zgjedhjet-ne-universitete-ja-kush-fitoi-ne-rang-vendi-ne-ut-koni-ne-avantazh/
[3]Faqja zyrtare Gazeta Mapo
http://www.mapo.al/2016/04/testi-i-ri-per-klasat-e-pesta-i-gjen-shkollat-te-papergatitura
[4]Faqja zyrtare Reporter.al
http://www.reporter.al/wp-content/uploads/Urdhri-dhe-rregullorja0001.pdf
[5]Interviste e marrë ne youtube