
S. Kondi
1- Ankaraja zbuloi ambasadën pa ambasador dhe ministrinë pa ministër
Po të lexosh një op-ed të publikuar nga ministri Ditmir Bushati në fund të muajit mars[1] lidhur me vizitën e tij zyrtare në Greqi si dhe perspektivat e marrëdhënieve dypalëshe, për shkak të frymës pozitive dhe objektivitetit të prezantimit, të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një institucion serioz, i cili po e adreson siç duhet politikën e jashtme të vendit.
Mirëpo, “Rilindja” e diplomacisë shqiptare, duket se është një fasadë, si shumë fasada të tjera që janë meremetuar dhe po meremetohen nga qeveria në këto dy vjet[2]. Për ta vërtetuar këtë mjafton të hidhet një vështrim (jo dhe aq i thelluar) se si vazhdojnë të funksionojnë prej dy vitesh e gjysmë misionet diplomatike dhe shërbimet konsullore të Republikës së Shqipërisë.
Edhe pse është dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani që më 10 shkurt [3], ambasadori Gent Gazheli nuk rezulton sipas ueb-sajtit zyrtar të ambasadës së Shqipërisë në Turqi që ta ketë marrë një detyrë të tillë. Zoti Gazheli nuk ka ngurruar ta bëjë edhe sponsored faqen e tij në Facebook, ku shkruhet qartë se ai është ambasadori i vendit tonë në Ankara, por ndërkohë nuk është kujdesur që këtë ndryshim statusi ta paraqesë edhe në një burim të rëndësishëm informacioni sikurse është faqja në internet e selisë diplomatike që ai përfaqëson. Është qesharake, që pasi më shumë se një muaji në detyrë, në sajtin e kësaj ambasade figuron me CV dhe të dhëna të plota ambasadori i vjetër, z. Genci Muçaj[4].
Por problemet në diplomaci nuk ndalen vetëm te sfera teknike, e cila sikurse kemi raportuar në muajt e kaluar, mund të lidhet me numrin e vogël të personelit nëpër ambasada ose me keqpërdorimin e burimeve njerëzore në to. Mjafton të kujtojmë këtu se atentati i rëndë në Ankara nuk u pasqyrua në faqen zyrtare të kësaj ambasade që paguhet, me taksat e shqiptarëve.[5]
Ndryshe nga rasti i Brukselit[6], kur Ministria e Jashtme dhe ambasada jonë në Bashkimin Europian vunë menjëherë në shërbim të qytetarëve një numër kontakti dhe mbajtën një qëndrim zyrtar, në rastin e atentatit të Ankarasë, ku pati edhe më shumë viktima, nuk u pa e njëjta gatishmëri. Një gjë e tillë tregon njëfarë amullie dhe çoroditjeje në përballimin e emergjencave. Ambasadat nuk mund të vazhdojnë të punojnë me dy standarde, pra në një rast të tregojnë vigjilencë dhe gatishmëri, ndërsa në raste të tjera jo, kur bëhet fjalë për sulme të ngjashme të armatosura që shkaktojnë shumë viktima dhe që rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve shqiptarë, të cilët ndodhen jashtë. Në raste të tilla, do të ishte më profesionale dhe e udhës që ambasadat të vepronin me një plan të hartuar për situata të tilla ekstreme dhe të unifikuar, dhe jo në varësi të shijeve apo ndjeshmërive të momentit të Tiranës zyrtare. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme bën mirë të koordinohet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe të mos e lejojë këtë të fundit që të bëjë punën që i takon me ligj të parës. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, për herën e dytë radhazi u bë raportuese e situatës së atentateve të Ankarasë[7]. Cilado qoftë arsyeja, kjo përbën një tejkalim kompetencash dhe ndërhyrje në punët e një ministrie tjetër.
Për kujdesin e interesave të qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit është përgjegjëse Ministria e Punëve të Jashtme, një detyrim ky jo vetëm ligjor, por mbi të gjitha kushtetues. Është tejet joprofesionale kjo mbivendosje kompetencash dhe anashkalim detyrimesh. Vetëm duke iu referuar rastit të atentatit të Ankarasë dhe mënyrës së trajtimit të saj nëpërmjet qëndrimeve zyrtare të Tiranës, që paraqitëm më sipër, të krijohet përshtypja sikur në vendin tonë “vëlla” nuk kemi ambasador dhe se në MPJ nuk kemi ministër. Shpresojmë që MPJ të ketë mirësinë t’i ndreqë këto “vogëlsira”.
2- Traktat miqësie apo traktat i fshehtë mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka qenë për një vizitë zyrtare në Greqi gjatë muajit, në kuadër të një gjallërimi dhe intensifikimi të marrëdhënieve mes dy vendeve. U prekën dhe u diskutuan tema që kanë qenë tabu gjatë këtyre 25 vjetëve, si dëbimi i çamëve shqiptarë nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore. [8]Gjithashtu z. Bushati kërkoi shfuqizimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, të cilin pala greke nuk e ka hequr ende me një vendim të parlamentit[9]. Bisedimet shënojnë hapa përpara dhe gjuha zyrtare e përdorur le vend të shpresohet për zgjidhje të rëndësishme në dobi të të dyja shteteve. Por veç problemeve publike të trajtuara, ka edhe tema të cilat me sa duket janë të fshehta, të paktën për sa i takon palës shqiptare.
Kushtetutat e vendeve demokratike dhe Karta e San Franciskos apo Konventa e Vjenës mbi Traktatet, mbi të cilat mbështeten gjerësisht marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve, i ndalojnë kategorikisht traktatet e fshehta. Shqipëria dhe Greqia kanë një traktat miqësie të nënshkruar prej tyre në vitin 1996. Mirëpo teksti i këtij traktati duket se është misterioz apo i fshehtë, të paktën për sa i takon anës shqiptare të medaljes. Teksti i tij nuk mund të gjendet as në ueb-sajtin e Parlamentit, organi që e ka miratuar, as në sajtin e ambasadës shqiptare në Greqi dhe as në ndonjë burim online të MPJ. Por nuk mbaron me kaq. Në një e-mail që i kemi dërguar Arkivit Historik në MPJ kemi marrë një përgjigje befasuese.
Duke qenë se në një republikë demokratike nuk mund të akte shtetërore të fshehta, e aq më pak ato që miratohen nga parlamenti, përgjigja zyrtare e ministrisë lidhur me kërkesën tonë për të pasur akses te teksti i traktatit në fjalë, që mban datën 7 janar 2016 dhe emrin e punonjëses me inicialet D.T. , ka qenë e mëposhtmja: “Dokumenti që kërkoni në Arkivin Historik të MPJ i përket v.1996. Ligji mbi arkivat në Shqipëri lejon publikimin e dokumenteve arkivore 25 vite pas krijimit të tyre. Ne sapo hapëm dokumentacionin arkivor te vitit 1991.”
Sipas ligjit, vetëm dokumentet sekrete nuk mund të vihen në dispozicion të publikut. Si mund të hulumtojnë studiuesit, por mbi të gjitha si mund ta ushtrojë kontrollin e tij ndaj parlamentit dhe institucioneve publike sovrani taksapagues, kur shteti i tij që e ka detyrim kushtetues transparencën dhe llogaridhënien, kthehet në një bunker. Termi bunker, që e kemi përmendur edhe në raportet e kaluara të APPA-s, nuk është një etiketim politik, por një konstatim lidhur me funksionimin e institucionit të MPJ-së, që mund të përmblidhet me dy fjalë: Jo-transparent dhe hermetik.
3- Konsuj me mik
Muaji mars nisi me një skandal. Konsullata në Milano, e denoncuar disa herë edhe nga një deputet i parlamentit shqiptar për keqfunksionim, ra pre e një filmimi të fshehtë, ku duket se konsullja e përgjithshme lëshon një certifikatë fiktive martesore kundrejt 800 eurove[10]. MPJ mori masa duke e larguar konsullen e përgjithshme Luljeta Çobanaj nga shërbimi jashtëm. E kemi trajtuar disa herë çështjen e konsullatave gjatë vitit 2015.
Kemi konstatuar në tre raste se përzgjedhja e konsujve është e papërshtatshme për shërbimin e jashtëm. Në Selanik, Shqipëria përfaqësohet nga një konsulle ish-sportiste, në Bari nga një konsulle që ka qenë ish-Miss Shqipëria dhe nga një konsull militant politik, pa diplomë masteri, kryetar i Partisë Socialiste të Barit. Znj. Çobanaj ishte një tjetër e emëruar politike pa përvojë diplomatike. Konsuj të tillë, që zgjidhen me mik, janë në dëm të shërbimit të jashtëm shqiptar, sikurse dëshmoi rasti flagrant i ish-konsulles.
[1] Op-ed i Ministrit Ditmir Bushati lidhur me marrëdhëniet Shqipëri-Greqi http://www.mapo.al/2016/03/nga-diplomacia-e-barrikadave-drejt-bashkepunimit-pa-tabu
[2]Footnota 2
[3]Lajmi për dekretimin e Ambasadorit Gent Gazheli në Turqi http://www.mapo.al/2016/02/nishani-dekreton-gazhelin-berisha-e-quajti-lavatrice
[4] Uebsjati i ambasadës shqiptare në Ankara, profili i ambasadorit http://www.ambasadat.gov.al/turkey/sq/ambasadori
[5] Ueb-sjati zyrtar i ambasadës shqiptare në Ankara, asnjë referim për sulmet vdekjeprurëse http://www.ambasadat.gov.al/turkey/sq
[6] Postim i MPJ ne Facebook për atentatin ne Brukselhttps://www.facebook.com/notes/ministria-e-pun%C3%ABve-t%C3%AB-jashtme-republika-e-shqip%C3%ABris%C3%AB/mpj-d%C3%ABnon-sulmet-terroriste-n%C3%AB-bruksel/950210995093740
[7]Postim i ministres Kodheli ne Facebook për situaten e atentatit ne Ankara https://www.facebook.com/kodheli.mimi/posts/973412309408776?__mref=message_bubble
[8] Vizita e Bushatit ne Greqi, trajtimi i çështjes çame: http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=202484
[9]Bushati në Greqi, çështja e Ligjit të Luftës: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=322259#k1
[10]Skandali me konsullen ne Milano, http://tvklan.al/web/skandal-ne-konsullaten-shqiptare-ne-milano-denoncimi-ne-emisionin-stop/