
Rezearta Caushaj
1- Ministria “pjell” struktura të reja institucionale
Sipas një lajmërimi, që ka ardhur direkt nga Znj. Gjosha, qeveria ka mandatuar krijimin e dy strukturave të reja brenda Ministrisë së Integrimit (të paktën kështu mendohet) ose me saktë, siç thuhet në komunikatën zyrtare “Bëhet fjalë për rrjetin e njësive të integrimit europian, dhe rrjetin e njësive të hartimit të legjislacionit.”
Duhet të theksohet se këto dy “struktura” nuk i gjejmë të parashikuara në Strategjinë për Integrimin 2015 -2020, por gjithsesi ato cilësohen të jenë “garantët për qasjen që do të ndjekë vendi ynë, në hapat e mëtejshëm drejt Bashkimit Europian.” Nga ana tjetër, nuk është shpjeguar se çfarë boshllëku institucional tentohet të mbyllet më këto struktura, nga çfarë nevoje kanë lindur këto të fundit e aq më pak të thellohet në shpjegimin e kompetencave respektive, nën çfarë drejtorie ato do të funksionojnë, si dhe konkretisht detyrat e tyre. Këto të sipërpërmendurat janë shpjegimet minimale që një institucion i kalibrit të Ministrisë së Integrimit i detyrohet qytetarëve të vet, duke qënë së ngritja dhe funksionimi i këtyre strukturave do të paguhet nga taksat e tyre.
Është theksuar se strukturat do të synojnë që të thithin disa nga profesionistët më të mirë të fushës, të cilët madje do të përfitojnë bonuse me bazë 3-mujore për punën e tyre. Një deklaratë që nuk dimë nëse duhet ta interpretojmë sikur Ministria deri tani ka vuajtur për personel të kualifikuar, që do të binte ndesh me pretendimin e qeverisë aktuale se konkurset për hyrjen në Administratë zbatohen rigorozisht apo të ngremë pikëpyetje se përse nuk mund të jetë Departamenti i Administratë s Publike që të hartojë një sistem të unifikuar të shpërblimeve në bazë të performancës.
Na bie rasti të ngremë një shqetësim që ka të bëjë pikërisht me punën e strukturave apo drejtorive që funksionojnë brenda Ministrisë së Integrimit. Në Faqen Zyrtare të institucionit e shumta që ofrohet është organigrama, që informon për ekzistencën e drejtorive dhe titullarët përkatës brenda Mministrisë, por nuk ka seksione të vecanta, të cilat detajojnë punën e përditshme të tyre. Një fakti i tillë, përveçse tregon për mungesën e transparencës, gjithashtu është tregues i mungesës së pavarësisë së këtyre strukturave brenda Ministrisë. E thënë shkurt, qytetarët shqiptar marrin atë informacion, i cili mandatohet nga kreu ose krerët e Ministrisë dhe kalon në filtrat përkatës, duke dhënë një produkt në rastin më të mirë deklarativ në emër të të gjithë institucionit.
2- Reforma në drejtë si dhe “pastërtia” e kandidatëve të zgjedhjeve lokale
Është mbledhur këtë muaj Këshilli Kombëtar i Integrimit, ku Znj. Gjosha ka raportuar mbi procesin e përmbushjes së 5 Prioriteteve, ku sipas saj është arritur në masën 90 %: “Vlerësimet se jemi në rrugë të mbarë dhe Shqipëria ka bërë progres me reformat, nuk duhet të na bëjnë për asnjë moment që të ngadalësojmë ritmin, përkundrazi duhet të na bëjnë që të gjithë energjitë tona, ti përqendrojmë në ato fusha të domosdoshme për t’u transformuar, në mënyrë që dita kur vendi të jetë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian, të mos jetë e largët”, tha Ministrja Gjosha.”
Ajo që ka nxjerrë në dukje veçanërisht Ministri ka qenë tentativa për reformim në fushën e administratës, luftës antikorrupsion, ngritja e sistemit të denoncimit online, lufta kundër krimit të organizuar dhe ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Të gjitha fushat në të cilat pretendohet se është arritur një sukses, më së shumti u referohen atyre fushave në të cilat qeveria ka ndërmarrë reforma, ndërkohë që ia vlen të theksojmë se në Raportin e Komisionit që pritet, do të vlerësohet progresi që është arritur bazuar në këto reforma dhe si shkon implementimi i tyre. Nëse i referohemi sistemit të raportimit të korrupsionit online, a ka ndonjë raport që zbulon se cila ka qënë ecuria apo edhe problematikat e hasura? Sa nga rastet e raportuara, procedohen nga prokuroria?
Si për ironi mbi raportimin e përgjithshëm të Ministrit të Integrimit, ka dalë së fundmi Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili prek në detaje të njëjtat problematika, të deklaruara nga zyrtarë të ndryshëm të BE që kanë vizituar vendin tonë , por që qeveria dhe çuditërisht, edhe Ministria e Integrimit, vazhdojnë t’i injorojnë. Raporti në fjalë ka qenë veçanërisht i ashpër për sa i përket luftës kundër trafikimit njerëzor për qëllime të ndryshme duke filluar nga mungesa e vëmendjes për problemin, mungesa e statistikave, mungesa e koordinimit midis institucioneve përkatëse dhe mungesa e ndërgjegjësimit. Në një deklaratë të veçantë, në kuadër të raportit Ambasada Amerikane ka dënuar prezencën në Parlament të një deputeti me të kaluar kriminale si trafikant: “Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë.”
Kjo dekoratë , si dhe raportet e shumta, për të cilat qeveria nuk ka bërë asnjë prononcim që dolën në pah në Zgjedhjet Lokale 2015 mbi “pastërtinë ” e disa prej kandidatëve, trajtuar gjerësisht në raportin e muajit Qershor, të japin një ide mbi përparimin që vendi jonë ka bërë në fushën e dekriminalizimit dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Na është dukur me interes përgjigja e kreut të Ministrisë së Integrimit mbi këtë çështje, e cila, përveçse përmend një reformë të suksesshme në sistemin e drejtësisë që pritet tbërë zbulohet në muajin tetor, mohon të ekzistoj një problem në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve:” Ajo që është e rëndësishme është që ka qenë një proces tepër transparent edhe në përzgjedhjen e kandidaturave për 61 bashkitë e Shqipërisë të mbuluara në vend, një proces mbi bazën e dëshmive të penalitetit dhe aq më tepër që kemi KQZ-në, e cila certifikon vetë kandidatët e fituar në këto bashki. Pra, ka kaluar në disa procedura, ka kaluar në disa institucione duke filluar nga partitë politike, që kanë përzgjedhur dhe deri në fund certifikimi i plotë i zgjedhjeve. Unë do të bazohesha më shumë në dëshmitë e tyre të penalitetit, të cilat tregojnë që janë kandidatë jo të inkriminuar dhe kjo për ne është diçka që flet në bazë të ligjit dhe të dokumenteve që kërkohen.”
Shpresojmë që raportet e ardhshme të jenë aq bujar në vlerësimin e progresit të vendit tonë , sa është edhe titullari i Ministrisë së Integimit, Znj. Gjosha.
Referenca:
http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304643&ref=ml
https://www.youtube.com/ëatch?v=j8ZDKnojFS8&feature=youtu.be